Aplikacion
Ushtria izraelite tha se avionët luftarakë kishin goditur objektet e infrastrukturës ushtarake të Hamasit dhe do të jepte më shumë detaje më vonë.
Një zëdhënës i mbrojtjes civile të Gazës tregoi se një bllok banimi në zonën al-Shati, një nga kampet historike të refugjatëve të Gazës, u godit disa herë. Sulmi tjetër kishte në shënjestër shtëpitë në lagjen al-Tuffah.
Në pamjet e publikuara shihehin njerëz që merrnin me vete të plagosurit dhe kërkonin të mbijetuar në rrënojat ndërsa pluhuri mbushi rrugët.
Mediat izraelite raportuan se sulmet ajrore mund të kenë pasur në shënjestër një zyrtar të lartë të Hamasit.
Hussein Muhaisen, një zëdhënës i mbrojtjes civile në qytetin e Gazës, i tha AFP se ndikimi nga sulmet ishte “si një tërmet”.
“E gjithë zona ishte në shënjestër, siç e shihni shtëpitë u shkatërruan. Ka ende familje nën rrënoja,” tha ai.
“Disa nga të plagosurit janë transferuar në Spitalin Baptist dhe tani po i nxjerrim të tjerët nga nën rrënoja dhe situata është shumë, shumë e vështirë për shkak të mungesës së mjeteve dhe karburantit për autoambulanca.”
Ndërkohë, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell tha se BE-ja dënoi bombardimet e së premtes ndaj zyrave të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) në Gaza , për të cilat KNKK tha se kishte vrarë 22 njerëz që kishin kërkuar strehim rreth kompleksit të tij.