zoom

Bota

Mafia shqiptare e lidhur me qeverinë e Ekuadorit/ Jep dorëheqjen ministri i vendit

Ministri i Bujqësisë së Ekuadorit, Bernardo Manzano ka dhënë dorëheqjen nga posti, pasi emri i tij u përmend në hetimin për korrupsion dhe lidhjet e trafikut të drogës që përfshin njerëz të afërt të presidentit Guillermo Lasso me mafien shqiptare.

Largimi i tij erdhi vetëm disa orë pasi pranoi se i kishte dërguar CV-në e tij, Rubén Cherres, i cili kishte lidhje të ngushta me Danilo Carrera, kunati i Presidentit të Republikës, Guillermo Lasso.

Sipas medias “La Posta”, Carrera negocionte për vende pune në ministri, ndërsa Cherrez po hetohet për lidhjen e tij me një shqiptar të akuzuar për trafik droge.

Në një intervistë për “Sonorama”, ai ka deklaruar se nuk është mik me Cherres, por ka pasur një takim shoqëror me të në korrik 2021 dhe ky i fundit e kishte pyetur nëse ishte i interesuar për postin e Ministrit të Bujqësisë. Manzanoi pranoi se i kishte dërguar CV-në e tij, por ka sqaruar se nuk është emëruar ministër në atë kohë, por në maj 2022.

Në letrën e dorëheqjes së tij, Manzanoi tha se nuk u bë ministër nga kjo ndërhyrje, por tha se “e shikon të arsyeshme të largohet, për të parandaluar dëmtimin e qeverisë.”

Këtë të hënë, një raport i inteligjencës ekuadoriane, i nxjerrë në dritë nga “La Posta”, zbuloi lidhjet e supozuara të presidentit ekuadorian me mafien shqiptare dhe trafikun e drogës, një situatë që, sipas disa analistëve, mund të sjellë fundin e mandatit të tij në Ekuador.