zoom

Aktualitet

Javët Kulturore Ndërkombëtare, Rama: Do jetë traditë e përvitshme

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Kulturës Elva Margariti në një konferencë për mediat, njoftuan nisjen e Javëve Kulturore Ndërkombëtare që nis sot me Francën.

Kreu i qeverisë prezantoi një seri javësh kulturore ndërkombëtare, duke thënë se këto javë synohet të jetë një traditë e përvitshme për të shpalosur tradita, kultura të ndryshme, forma dhe shprehje nga më të larmishme të aktivitetit të çdo qytetërimi dhe për të krijuar hapësira të reja të ndërveprimit me kulturat e tjera por edhe të argëtimi të drejtpërdrejtë të qytetarëve, apo edhe vizitorëve dhe turistëve që mund të gjenden në vendin tonë.

Si vit i parë që nis ky program i ri, është i gjithi në një fazë nisjeje që do të pasurohet me siguri në vitet e ardhshme. Është një eksperiencë krejt e re, prej së cilës reciprokisht mësojmë dhe kuptojmë më shumë.

Disa prej vendeve të përfshira janë të angazhuara prej kohësh në organizimin e javëve të tyre kulturore si Italia, Gjermania apo Franca. Ky organizim i përbashkët i bën shumë më të aksesueshme për publikun e gjerë, duke përfshirë jo vetëm aktivitete ngushtësisht artistike, por duke përfshirë edhe aktivitete më popullore, aktivitete në rrugë, apo në kulturën e traditës së gatimit të vendeve të tjera.

Synojmë të jetë një program ku të gjitha moshat dhe kategoritë të gjejnë arsye për të frekuentuar javët ndërkombëtare të kulturës. Synojmë që të jetë hapësirë që nga moshat e reja, nxënësit e deri tek pensionistët.

Rama shtoi më tej se do punohet që javët ndërkombëtare kulturore, të jenë fikse çdo vit, me synim rritjen e aktiviteteve në vendin tonë dhe jo vetëm në Tiranë.