Aplikacion
Në deklaratën e Zyrës për media të Qeverisë në Gaza thuhet se ushtria izraelite ka kryer atentat frikacak ndaj kryebashkiakut të Al-Magazit, Gamri dhe një grupi civilësh, duke bombarduar drejtpërdrejt dhe pa njoftim paraprak ndërtesën e shërbimit të përbashkët të komunës.
Në deklaratë thuhet se kjo masakër, e cila shkel ligjet ndërkombëtare që ofrojnë imunitet dhe mbrojtje për civilët, përbën një episod të ri të krimeve të qëllimshme dhe të planifikuara të Izraelit kundër popullit palestinez. “Vrasja e Gamrit është në kuadër të ‘luftës gjenocidale’ të Izraelit kundër civilëve në Rripin e Gazës dhe është tregues i paaftësisë dhe konfuzionit të përjetuar nga udhëheqësit izraelitë në shënjestrimin e qëllimshëm të civilëve”, thuhet në deklaratë.
Aty theksohet se vrasja e kryebashkiakut të Al-Magazit nga ushtria izraelite dënohet me shprehjet më të forta ndërsa janë thirrur të gjitha komunat në të gjitha vendet e botës që ta dënojnë këtë krim të tmerrshëm, që tregon shkallën e krimit që ka arritur Izraeli.
Në deklaratë thuhet se administrata amerikane, komuniteti ndërkombëtar dhe Izraeli janë tërësisht përgjegjës për këtë krim dhe se SHBA-ja i dha ‘dritën e gjelbër’ Izraelit të vazhdojë të kryejë krimin e gjenocidit dhe të shënjestrojë shoqërinë civile dhe se komuniteti ndërkombëtar ka dështuar shumë herë për të ndalur këtë gjenocid.
Më tej u bëhet thirrje të gjitha vendeve të botës që ta gjykojnë Izraelin në gjykata dhe forume ndërkombëtare për krimet e tij kundër njerëzimit dhe të ushtrojnë presion mbi Izraelin që të ndalojë gjenocidin e vazhdueshëm kundër popullit palestinez.
Raportohet se kryebashkiaku i Al-Magazit, Gamri dhe shumë palestinezë u vranë nga avionët luftarakë izraelitë që bombarduan drejtpërdrejt ndërtesën e shërbimeve të përbashkëta të komunës në kampin e refugjatëve Al-Magazi në pjesën qendrore të Rripit të Gazës. /ZOOM.AL/