zoom

Bota

Izraeli sulmon zyrat humanitare të OKB, BE reagon. Ikin 11 mijë nga Rafah, Netanyahu: Synim Hamasi

BE-ja kritikoi sulmin ndaj selisë së agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë UNRWA në Jeruzalemin Lindor, të pushtuar nga një grup ekstremistësh izraelitë.

“BE dënon fuqishëm sulmin kundër objekteve të UNRWA në Jeruzalemin Lindor. Autorët duhet të mbajnë përgjegjësi”, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell, në rrjetin social X. Duke theksuar se Izraeli ka një përgjegjësi për të garantuar sigurinë e punonjësve humanitarë, ai tha: “UNRWA është një litar shpëtimi i pazëvendësueshëm për miliona njerëz në Gaza dhe në rajon”.

Një grup ekstremistësh izraelitë protestuan jashtë selisë së UNRWA-s në lagjen Sheikh Jarrah të Jeruzalemit Lindor më 7 maj, pas një thirrjeje nga nënkryetari i bashkisë së Jeruzalemit Aryeh Yitzhak King.

Kurse qeveria izraelite nuk tërhiqet nga synimi për të hyrë në Rafah, pavarësisht paralajmërimeve të ndërkombëtarëve. 20 nga 24 batalionet e Hamasit janë neutralizuar, tha kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në një intervistë për kanalin televiziv Merit Street Media.

“Kemi mundur të shkatërrojmë rreth 20 nga 24 batalionet terroriste të Hamasit. Duhet të shkatërrojmë 4 të tjerë në Rafah. Prandaj duam të hyjmë në Rafah, sepse nuk mund t’i lëmë atje”, tha kreu i qeverisë izraelite. Netanyahu gjithashtu vuri në dukje se Izraeli do të përballet me rezistencë shumë të fortë gjatë operacionit në Rafah, por shprehu besimin se ushtria e vendit do ta kapërcejë atë.

Paralelisht, rreth 110,000 njerëz janë larguar nga Rafah në Gazën jugore ndërsa furnizimet me ushqim dhe karburant në zonë janë jashtëzakonisht të ulëta, tha një zyrtar i Kombeve të Bashkuara. Të gjitha kalimet në Gazën jugore mbeten të mbyllura, duke ndërprerë furnizimet dhe duke parandaluar evakuimet mjekësore dhe lëvizjen e personelit humanitar, tha Georgios Petropoulos, një zyrtar për Zyrën e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare që punon në Rafah. Rreth 1.3 milionë palestinezë, mbi gjysma e popullsisë së Gazës kishin kërkuar strehim në Rafah.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) ka paralajmëruar se qindra mijëra njerëz po përballen me “një situatë jashtëzakonisht kaotike” ndërsa përpiqen të ikin nga ofensiva e Rafahut të Izraelit.

“Situata e ushqimit, ujit dhe furnizimeve mjekësore është kritike dhe nëse kjo vazhdon, atëherë ne shkojmë drejt pasojave katastrofike, apo edhe më katastrofike, nga situata që ne tani shohim”, tha zëdhënësi i KNKK-së Jason Straziuso. Ai tha se KNKK po “kërkon vazhdimisht” zyrtarët izraelitë që të lejojnë aksesin në mallra humanitare pas mbylljes së vendkalimeve. /ZOOM.AL/