Aplikacion
Mediat e huaja thonë se sulmet ishin të përqendruara në kampin e refugjatëve “Nusseirat” në Gazën qëndrore. Izraeli ka thënë se ka nisur një sulm ajror në një kompleks nëntokësor që i përket Hamasit në xhaminë “Al-Ansar”, në Bregun Perëndimor. Sipas autoriteteve, xhamia strehonte një celulë terroriste, që po organizonte një sulm të afërt.
Zëdhënësi i forcave izraelite “Daniel Hagari” ka bërë me dije po ashtu se një komandant i lartë i Hamasit u vra në një sulm ajror izraelit gjatë natës në Rripin e Gazës. Ndërsa theksoi se bombardimet po i hapin rrugë fazës tjetër të luftës.
“Nga sot ne do të rrisim goditjet dhe do të minimizojmë rrezikun. Ne do të rrisim sulmet dhe për këtë arsye ju bëj thirrje banorëve të qytetit të Gazës që të lëvizin në jug për sigurinë e tyre. Ushtria izraelite do të vijojë fazën tjetër të sulmit kur kushtet të jenë të duhura”, tha ai.
Zëdhënësi nënvizoi se 212 izraelitë janë kapur nga terroristët dhe po mbahen peng.
Nga ana tjetër, 58 palestinezë janë arrestuar në Bregun Perëndimor që nga mëngjesi i kësaj të diele.
Të paktën 42% e të gjitha banesave në rripin e Gazës janë shkatërruar nga shpërthimet dhe bombardimet. Konflikti ka rritur frikën e një lufte më të gjerë rajonale dhe Uashingtoni tha se do të vendoste batalione shtesë për të mbrojtur forcat amerikane.
Ndërkohë në Libanin Jugor Izraeli ka bombarduar disa nga objektivat e terroristëve, ndërsa Hesbollahu deklaroi se 6 nga luftetarët e tyre u vranë.
Bilanci sa vjen e bëhet më i përgjakshëm, ku më shumë se 4000 persona kanë vdekur nga të dyja palët, e ndërsa shumë të tjerë kanë mbetur të plagosur. Ndërkohë situata humanitare është e rëndë. Mediat egjiptiane raportuan se një kolonë prej 17 kamionësh që sjellin ndihma për palestinezet u lejua të kalojë në Gaza. Por karvani i shumëpritur nuk përfshin karburant. Ndërkohë jetët e rreth 130 foshnjave të porsalindura në inkubatorë në spitalet e Gazës janë në rrezik prej mungesës së karburantit.