zoom

Politikë

“Ishte detyrim të isha sot këtu”, Meta uron 7 Marsin nga Korça: Roli dhe figura e mësuesit janë themelore

Presidenti i vendit Ilir Meta ka zgjedhur Korçën për të uruar të gjithë arsimtarët e Shqipërisë në lidhje me festën e 7 Marsit. Meta në fjalën e tij u shpreh se ishte detyrim që ditën e sotme të ndodhej në Korçë, pasi sipas tij Korça simbolizon djepin e rilindjes kombëtare.

Meta theksoi se roli dhe figura e mësuesit janë thelbësore për zhvillimin e shoqërisë.

“Për mua ishte një detyrim që sot të isha pikërisht këtu, në Korçë, në djepin e rilindjes sonë kombëtare të arsimit dhe kulturës. Ne sot kujtojmë me nderim të jashtëzakonshëm Pandeli Sotirin, Jeronim De Radën, Pashko Vason, Gjergj Fishtën, e shumë personalitete të tjera, që me vizionin e tyre, por dhe sakrificat e tyre, na dhanë gjuhën shqipe dhe arsimin tonë.

Jemi sot t’iu shprehim mirënjohjen e thellë të gjithë mësuesve, edukatorëve, që punojnë sot edhe pse në kushte të vështira, për të pasur një të ardhme më të ndritur. Kujtojmë plejadën e mësuesve në pension, që ja kushtuan jetën e tyre të ardhmes së ndritur të brezit të ri.

Roli dhe figura e mësuesit janë themelore dhe këtë e them edhe si fëmijë i dy prindërve. Shpreh sot mirënjohjen e thellë për të gjithë mësuesit. Të gjithë mësuesit tanë, sidomos ata në zonat rurale, meritojnë një mbështetje akoma më të madhe, sa i takon infrastrukturës digjitale. Duhet të bëjmë më shumë që rinia jonë, e edukuar më së miri nga mësuesit tanë, ta ndërtojë këtu të ardhmen”, u shpreh Meta.