zoom

Aktualitet

Ishte dënuar me 15 vite burg për tentativë vrasjeje më 2018, kapet i dënuari me 3 identitete (EMRI)

Forca Operacionale njoftoi sot se kanë vënë në pranga një 57-vjeçar në Korçë, i cili në vitin 2019 është dënuar me 15 vite burg për tentativë vrasjeje me armë zjarri.

Agron Osmanllari, alias Osmani, alias Meka, banues në Bilisht, është dënuar për veprat penale “vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, dhe “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, pasi ka tentuar të vrarë Erion Çollakun në vitin 2018.

“Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH finalizoi operacionin policor të koduar “Operacionalja 9”. I dënuar në vitin 2019, me 15 vjet burgim, për një tentativë për vrasje me armë zjarri, si rezultat i punës së inteligjencës policore, arrestohet në Korçë, 57-vjeçari.

Në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit” dhe si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, gjatë operacionit policor të koduar “Operacionalja 9”, lokalizoi në Korçë, kapi dhe vuri në pranga shtetasin e shpallur në kërkim Agron Osmanllari, alias Osmani, alias Meka, 57 vjeç, i lindur në Bilisht”, tha policia.

Në vitin 2019, Gjykata e Apelit e Korçës e ka dënuar këtë shtetas, me 15 vjet burgim në mungesë, pasi ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin E. C. “Shtetasi Agron Osmanllari alias Osmani alias Meka do t’i dorëzohet Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme”, sqaroi policia vendore. /ZOOM.AL/