zoom

Aktualitet

Ishin dënuar për trafikimin e klandestinëve sirianë, arrestohen pas 4 vitesh dy të kërkuarit

Policia e Durrësit njoftoi se lokalizoi dhe kapi 2 persona, të cilët bashkëpunuan në vitin 2020, për të transportuar 6 sirianë që synonin të kalonin ilegalisht kufijtë dhe ishin në kërkim.

Të ndaluarit, të dënuar nga Gjykata e Gjirokastrës, secili me mbi 2 vjet burgim.

“Në zbatim të planit të masave të hartuar në kuadër të megaoperacionit të koduar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës dhe Shijak lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasit S. B., 28 vjeç dhe S. D., 37 vjeç, të dy banues në Durrës”, thanë burime zyrtare.

Referuar dosjes, theksohet se këta persona ishin shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Gjirokastrës i ka dënuar me nga 2 vjet, 3 muaj dhe 25 ditë burgim, për veprën penale “ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Më datë 03.12.2020, shtetasit S. B. dhe S. D. u kapën në vendin e quajtur “Vanistër”, Gjirokastër, duke transportuar 6 shtetas të huaj sirianë, kundrejt pagesave, për kalim të kundërligjshëm të kufijve. /ZOOM.AL/