Aplikacion
Ish-sulmuesi, në një intervistë për Panorama Sport, ai u shpreh se Sylvinho dhe stafi i tij u lavdëruan për kualifikueset fantastike, por shtoi se aktualisht ka disa gjëra që lenë për të dëshiruar.
Ai shprehet se ekipit i mungon uria dhe se nuk e kupton aktivizimin shumë të pakët të lojtarëve si Muçi apo Hoxha.
Çfarë nuk po shkon me Kombëtaren, u bë ndeshja e dytë radhazi që ekipi nuk po del në lojën e vet?
Gjithçka fillon pas Europianit sepse edhe gjatë turneut ka patur dy këndvështrime të ndryshme. Ka pasur një këndvështrim ndoshta nga trajneri ku skuadra jonë duhet të ishte e kënaqur me një humbje minimale dhe duke e quajtur një rezultat pozitiv sepse dimensionet e skuadrës quheshin të vogla dhe nga krahu tjetër dimensionet e publikut dhe të pritshmërive ishin shumë të mëdha.
Unë besoj se Europiani, edhe pse ishim në grupin më të vështirë, i kishim të gjitha mundësitë dhe nëse do të kishim luajtur në një mënyrë më kurajoze, më ofensive dhe sidomos me leximin e ndeshjes në situatat e ndryshme, si me Italinë ku kaluam në avantazh dhe në ndeshjen e dytë me Kroacinë, që ishte në kohën e duhur dhe duhet të ishin bërë disa ndërrime në fillimin e pjesës së dytë duke futur lojtarë që kanë aftësinë që të sulmojnë thellësinë, si Daku, Hoxha apo Muçi dhe këto gjëra nuk ndodhën. Finalja ishte që nga të trija ndeshjet, ngelën të kënaqur nga paraqitja e skuadrës, por unë nuk do ta shihja ashtu.
Ka alternativa, por Silvinjo i beson pothuajse të njëjtëve lojtarë?
Për mendimin tim është diçka e gabuar. Edhe vet programi i ndeshjeve është që duhet të luash dy të tilla për 3-4 ditë, duke patur parasysh edhe udhëtimet e largëta jashtë. Në këtë aspekt, trajneri duhet të jetë i kujdesshëm dhe ta krijojë atë besueshmërinë brenda grupit sepse siç e kemi lavdëruar që ka bërë një punë fantastike me kualifikimin në Europian, në këtë moment ka gjëra që lenë për të dëshiruar. E lexon nga jashtë çfarë skuadër është.
Po e marr thjeshtë. Hysaj ka qenë lojtari më i kritikuar në Europian dhe në këto ndeshje ka luajtur më mirë sesa të tjerët. Pse? Sepse është jashtë listës së skuadrës së Lacios dhe është 100 % i përqendruar që të japë maksimumin në ekipin kombëtar. E njëjta gjë duhet të ndodhë edhe me skuadrën dhe reagimin. Trajnerin në fakt e shoh pak në vështirësi, në konfuzion, sepse janë ato detajet që bëjnë diferencën. Si me Gjeorgjinë dhe me Çekinë, janë detaje dhe jo një lojë dominuese.