zoom

Lajme

Ironia e Sulës: Sa shtroi rrugët Berberi, u rrit turizmi! Ne hamë domate, ju biftek te Nusreti…

Ndërkohë që në Kuvend po diskutohet akti normativ për buxhetin 2024, deputeti Dashnor Sula ka ironizuar kreun e ARRSH-së Evis Berberi, i cili është arrestuar për korrupsion.

Deputeti demokrat tha me ironi se në vendin tonë ka tani turizëm, pasi Berberi i ndërtoi rrugët.

“Nga mazhoranca u fol shumë gjatë për zërat e buxhetit. Ministrja tha se janë rritur treguesit e buxhetit për 2023. Po janë rritur, por përse nuk e thua që është rritur edhe vjedhja e korrupsioni? Keni më shumë në burg, gjysmën e mazhorancës. Këto nuk thuhen. Tha ministrja tjetër, kur ishit ju nuk kishte turizëm. Ne nuk kishim sepse nuk bëmë rrugët, tani që i bëri Evis Berberi kemi”, tha Sula.

Më tej Sula tha se qeveria nuk subvencionon fermerët, ç’ka bën që prodhimi vendas të dalë me një kosto më të madhe se ai që vjen nga jashtë. Sula shtoi se si pasojë e politikave të tilla dhe subvencioneve që nuk funksionojnë, po zbrazen dhe braktisen fshatra dhe toka mbetet dierrë dhe e papunuar.

Ai theksoi gjithashtu se “ne hamë domate dhe ju biftekë te Nusreti”, duke ironizuar mazhorancën

“90 për qind e produkteve ushqimore vijnë nga eksporti, nga Kreta e Turqia. Si vjen më lirë se produkti vendas? Për shkak të skemave të mbështetjeve që ju nuk i jepni. Bëni thjeshtë sikur i mbështesni.

Ju nuk mendoni për një bujk apo fermer që ikin dhe zhduken fshatra dhe mbetet toka dierrë. A e dini ju që bujqësia siguron jetën e 40 përqind të shqiptarëve? Qeveria kthen në formë fondesh vetëm 0.2 përqind të prodhimit të brendshëm bruto.

Keni ulur me 9 për qind buxhetin për bujqësinë. Skemat tuaja të subvencionimeve janë në dështime sipër. U thoni bujqve dhe blegtorëve që duhet të kenë 10 lopë, që të merrni subvencionim. Si do t’i stimuloni për t’u rritur? Sot prodhimi i qumështit konsumohet më shumë nga ferma qe kanë maksimumi deri në 5 lopë, të cilët nuk marrin asnjë subvencionim”, tha ai. /ZOOM.AL/