zoom

Aktualitet

Irena Gjoka largohet si zv/kryetare e GJKKO, ja kush u zgjodh në vend të saj

Ndryshime edhe në drejtimin e Gjykatës së Posaçme. Erjon Bani zgjidhet zëvendëskryetar i GJKKO-së, duke zëvendësuar Irena Gjokën, aq shumë e përfolur së fundmi për lidhjet e saj dhe vendimet kontroverse.

Mësohet se Bani është zgjedhur me 6 vota, si Zëvendëskryetari i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Njoftimi i GJKKO:

“Më datë 24.03.2021 rezulton se znj.Irena Gjoka është zgjedhur si Zëvendëskryetare e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Sipas akteve ligjore dhe nënligjore mandati i Zëvendëskryetarit është tre vjeçar pa të drejtë rizgjedhjeje të menjëhershme. Prandaj, znj.Irena Gjoka i mbaroi mandati më datë 24.03.2024.

Për këto arsye, Mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar zhvilloi sot më datë 25.03.2024 procedurën për zgjedhjen e Zëvendëskryetarit të kësaj Gjykate. Në këtë mbledhje ishte i pranishëm edhe Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor z.Ilir Rusi.

Referuar kërkesave të nenit 26, pika 3 të Ligjit nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në R.SH.” si dhe të vendimit Nr. 7, datë 21.12.2018 “Rregullore për miratimin e rregullave për zgjedhjen e zëvendëskryetarëve të gjykatave” të Këshillit të Lartë Gjyqësor, që parashikojnë zgjedhjen e zëvendëskryetarit nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës, pas procesit të verifikimit të përmbushjes së kritereve ligjore për dy kandidaturat e paraqitura, konkretisht gjyqtarët Erjon Bani dhe Erjon Çela, në prani të nëntë gjyqtarëve, Mbledhja e Përgjithshme vijoi me kryerjen e procedurës së votimit.

Në përfundim, Z. Erjon Bani, rezultoi i zgjedhur me 6 vota, si Zëvendëskryetari i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Në kushtet kur pozicioni i kryetarit është vakant, Z. Erjon Bani do të ushtrojë kompetencat e Kryetarit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, deri në zgjedhjen e kryetarit të kësaj gjykate nga Këshilli i Lartë Gjyqësor”. /ZOOM.AL/