Aplikacion
Kreu i këshillit të informacionit të qeverisë iraniane, Sepehr Khalaji në një postim në Twitter tha se një pako që përmbante hard disqe që i përkisnin MEK kishte mbërritur në Iran.
“Ekspertët iranianë janë aktualisht të angazhuar në marrjen e të dhënave nga këto pajisje dhe identifikimin e lidhjeve të grupit terrorist dhe qelizave sabotuese”, shtoi ai.
“Rezultatet kanë qenë premtuese deri më tani”, tha zyrtari.
Policia shqiptare rrethoi kampin e muxhahedinëve mëngjesin e 20 Qershorit në Manzë dhe ushtroi kontrolle brenda ambienteve të rezidencës ku janë të strehuar shtetasit iranianë.
Kontrollet u bënë me urdhër të GJKKO dhe u sekuestruan laptopet dhe kompjuterat e muxhahedineve.
Përfaqësuesit e Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), thanë se një person ka humbur jetën si pasojë e përdorimit të gazit lotsjellës nga policia.
Por ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi, tha se vdekja e personit brenda MEK-ut, të martën, nuk kishte asnjë lidhje me veprimet e policisë.
Më 2013, autoritetet shqiptare janë pajtuar – me kërkesë të Shteteve të Bashkuara – që të pranojnë rreth 3.000 pjesëtarë të MEK.
Irani i konsideron pjesëtarët e kësaj organizate si terroristë. Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, pasi e fajësoi Iranin se qëndron prapa një sulmi kibernetik që ndodhi në korrik të vitit 2022.
Ndërkaq një vit më parë u anulua, për arsye sigurie nga kërcënime terroriste, Samiti Botëror i Iranit të Lirë, që do të mbahej më 23 dhe 24 korrik në “Ashraf 3” në Manzë të Durrësit.