zoom

Lajme

Investitorët Strategjikë “përçajnë” socialistët, Majko kundërshton Klosin. PD: Porosi nga bizneset

Debati për faljen e taksave për investitorët startegjikë ka vazhduar edhe në komisionin e Ligjeve.

Deputeti i PS Blendi Klosi prezantoi projektligjin që synon të zgjasë me 2 vite faljen e të ardhurave korporatave për strategjikët që operojnë në struktura akomoduese “hotel/resort me katër dhe pesë yje” dhe mbajnë një emër ndërkombëtar.

Por deputetja e Partisë Demokratik Dhurata Çupi tha se ligji është me efekt të pastër elektoral dhe se po përdoret për të marrë vota për PS-në.

Çupi tha se projektligji është një precedent i rrezikshëm.

“I rrezikshëm sepse nxit pabarazinë fiskale, ul të ardhurat publike në mënyrë të ndjeshme dhe ka ndikim edhe në drejtësinë sociale. Në konceptim tim sjell efekt minimal në turizëm. Ju kërkoj që ta tërhiqni këtë projektligj, mos u përdorni nga qeveria”, tha Çupi.

Edhe deputeti Enkelejd Alibeaj e quajti një “krim zgjedhor” këtë projektligj, duke shtuar se pronarët e hoteleve kanë detyruar deputetin Klosin të propozojë një draft të tillë.

Demokrati Asllan Dogjani pyeti Klosin nëse projekti i Sazanit do të jetë përfitues i kësaj mase.

“Kjo është 100% në varësi të investitorit. A do të kërkojë të bëjë këtë raport apo jo? Por ama edhe nëse investitori kërkon kjo përfitim shkon vetëm tek hoteleria dhe jo tek ato që janë për të shitur. A do jetë ishulli i Sazanit një nga këto projekte? Unë shpresoj dhe të gjithë do të duam ta dëshirojmë që ky projekt të zhvillohet të ecë përpara dhe pjesa e hotelerisë aty do jetë me standardet me të larta të brandit”, sqaroi Klosi.

Projektligji u miratua nga komisioni me shumicë votash, ndonëse opozita votoi kundër dhe socialisti Pandeli Majko abstenoi.

Ai i shprehu kolegut të tij rezervat për projektligjin duke thënë se është e paqartë arsyeja pse qeveria e shtyn këtë propozim.

“Me Klosin ndaj një miqësi shumë të vjetër dhe kjo është parathënie për të mos krijuar asnjë lloj keqkuptimi lidhur me rezervat që unë kam për këtë propozim. Unë u binda nga argumentet e Klosit pse duhen brandet dhe mekanizmi i brandeve si presion për rritjen e cilësisë në turizëm, por nuk kuptoj pse ky standard duhet të funksionojë si i tillë deri në dhjetor 2026. Nëse bëhet fjalë se kjo cilësi do të jetë e përhershme pse e sillni përsëri për një shtyrje 2 apo 5 vjeçare. Sot industria jonë e turizmit bazohet në hotele me 3 yje e poshtë ku unë jam frekuentues i rregullt, shpresoj që ju të kuptoni që unë do të abstenoj për propozimin tuaj”, u shpreh Majko.

Postime të lidhura