zoom

In Zoom

INVESTIGIM/ Shkelje flagrante në Aeroportin e Vlorës! Pa leje ndërtimi e deklaratë mjedisore

Aeroporti i Vlorës i nisi punimet pas një ceremonie zyrtare të mbajtur Ditën e Flamurit.

Kryeministri Rama e quajti me të drejtë një projekt të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit. Ai shpjegoi edhe përse nisja e punimeve u vonua, duke renditur si arsye tërmetin dhe pandeminë.

Por edhe pse shtyrja shtoi kohën në dispozicion për hartimin, shqyrtimin dhe miratimin e projektit, disa të dhëna tregojnë se zbatimi i tij po bëhet në shkelje të një sërë ligjesh.

Rrjeti i gazetarisë investigative INA (Investigative Network Albania) dhe emisioni televiziv “EkoSkaner” dhe kanë zbuluar se punimet nisën në shkelje flagrante të ligjeve. Sipas tyre, “ku puna nisi, kompania koncesionare nuk kishte siguruar ende Deklaratën Mjedisore dhe lejen e ndërtimit, dy parakushte për zbatimin e projektit”.

Vepra me koncesion 35 –vjeçar për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e aeroportit, do të ndërtohet nga bashkimi i operatorëve “Vlora International Airport”, që përbehet nga “Mabco Constructions SA” e Matebex Group, nga kompania turke “YDA Insaat Sanayi Ve Ticaret Anonim Sirketi” dhe kompania tjetër nga Kosoa “2A Group sh.p.k”.

Nisja e punimeve ne aeroportin e Vlores

Ai do të jetë i kategorisë “4E”, një nga kategoritë më të larta të aeroporteve ndërkombëtare. Pista do të jetë 3.2 kilometër e gjatë, e aftë për të pritur edhe fluturime trans-oqeanike.Por ndërtimi i këtij aeroporti kërkon procedura të veçanta, jo për natyrën e tij, por për vendin ku po ndërtohet.

Ekspertja ligjore, Irena Dule, nga qendra “Respublia” thotë se aeroporti po bëhet brenda zonës të mbrojtur “Vjosë-Nartë”, ku zhvillimi i këtyre projekteve është i ndaluar. Sipas saj, për nisjen e punimeve nuk janë përmbushur detyrimet ligjore për marrjen e lejeve.

“Për këtë procedurë ka vetëm një kontratë koncesionare të lidhur, e cila nuk është bërë publike. Sigurisht që nuk janë marrë lejet e domosdoshme për vazhdimin e procedurës derisa të merret edhe leja e ndërtimit, më pas të rezultonte me ndërtimin e aeroportit”, deklaron Dule.

Katër ditë para nisjes zyrtare të punimeve, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit njoftoi se kishte pajisur me leje zhvillimi subjektin koncesionar. Ky dokument paraprin dhënien e lejes së ndërtimit, çka provon se punimet nisën pa u miratuar më parë leja e ndërtimit. “INA-EkoSkaner” thonë se veç kësaj, leja e zhvillimit është dhënë në mungesë të deklaratës mjedisore, një dokument i detyrueshëm nga ligji në këtë fazë.

Sipas ligjit për Ndikimin në Mjedis, Autoriteti i Planifikimit ose autoriteti përgjegjës për licensimin, kur shqyrton dhënien ose jo të lejes për një projekt, merr në konsideratë vendimin dhe deklaratën mjedisore për ndikimet në mjedis të projektit të propozuar. Gjithashtu ky institucion duhet të sigurohet që zhvilluesi është pajisur me këtë deklaratë.

E pyetur nga “EkoSkaner” mbi dhënien e lejes së zhvillimit pa u miratuar Deklarata Mjedisore, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit refuzoi të përgjigjet. Edhe administratori i “Vlora International Airport”, Valon Lluka, nuk ka pranuar të japë një koment mbi nisjen e punimeve pa leje ndërtimi dhe pa u pajisur me Deklaratën Mjedisore. As Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk e komentoi nisjen e punimeve pa këto dokumenta të domosdoshëm ligjorë.

Kjo ministri dëshmoi gjithashtu me fakte se punimet nisën pa Deklaratën Mjedisore. Ajo i dha emisionit “EkoSkaner” një Deklaratë Mjedisore të miratuar më 6 dhjetor, 7 ditë pas nisjes zyrtare të punimeve.

deklarata mjedisore per aeroportin e Vlores

Gazetarët e “EkoSkaner” dhe “INA” zbuluan se gjithësesi kjo leje është miratuar në mënyrë të dyshimtë dhe në kohë rekord, pasi përpara se ajo të jepet, duhen kryer dëgjesa me publikun. Të dhënat zyrtare tregojnë se këto dëgjesa u zhvilluan më 27 nëntor, një ditë para nisjes zyrtare të punimeve dhe 8 ditë para lëshimit të deklaratës.

“Ligji detyron edhe marrjen e mendimit të ekspertëve të Fakultetit të Shkencave dhe të gjithë atyre organizmave që merren me biodiversitetin. Pra, ky është një detyrim ligjor. Të gjitha këto procedura nuk janë marrë parasysh dhe nuk janë ndjekur në rastin konkret. Po flas gjithmonë sikur ky investim të ishte në një zonë normale dhe jo në një zonë të mbrojtur, sepse zona e mbrojtur do ta mbronte atë nga çdo investim i mundshëm. Kështu që çdo argument që japim për shkelje ligjore të tjera është i panevojshëm, sepse mendoj që, fakti që po ndërtohet, që po bëhet një investim në një zonë të mbrojtur mjafton për të dhënë se jemi në një shkelje flagrante të ligjit”, thotë ekspertja ligjore Irena Dule.

Agjencia Kombëtare e Mjedisit thotë se ajo e ka lejuar vijimin e procedurave për pajisjen me dokumentacionin mjedisor dhe se Agjencia Kombetare e Zonave të Mbrojtura ka lejuar zbatimin e projektit.

Por ekspertja ligjore, Irena Dule, thotë se “qëndrimi i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura është një qëndrim aspak në respekt të ligjit” dhe se “ligji organik mbi të cilin fuksionon AKZM e thotë qartësisht se investimet në zonën e Nartës janë krejtësisht të ndaluar”.

Por Ministria e Mjedisit thotë se një vendim i KKT i vitit 2020 e ka shfuqizuar këtë zonë si “zonë e mbrojtur”.
Por ekspertet thonë se pjesa ku po ndërtohet aeroporti vazhdon të jetë zonë e mbrojtur, ndonëse paralelisht ka një proces për të vendosur kufijtë e rinj të zonave të mbrojtura.

Projekti i Aeroportit te Vlores

Ekspertët adresojnë kritika të forta mbi raportet paraprake të ndikimit në mjedis. Prof. Ferinand Bego e konsideron si klientelist Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, ndërsa shton se Akërnia, vendi ku do të ndërtohet aeroporti, është alternativa më pak e favorshme, jo vetëm në drejtim të mjedisit, por edhe sigurisë së aeroportit pë shkak të rreziqeve për aksidente ajrore si pasojë e përplasjes së avionëve me shpendët.

Veç kësaj eksperti i mjedisit, Taulant Bino paralajmëron se vendi ynë do të ketë pasoja nga shkelja e ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare dhe kërkoi ndërprerjen e zbatimit të projektit.
Investigimi ka nxjerrë në dritë një sërë shkeljesh ligjore. Por mbetet e paqartë se përse qeveria ka vepruar në këtë mënyrë kur të gjitha lejet jepen nga institucionet e saj të vartësisë dhe kur ajo e ka pasur mëse të mjaftueshme kohën në dispozicion për të nxjerrë lejet e duhura. (Shihni më poshtë të plotë investigimin). /Zoom.al

Related Posts