zoom

Aktualitet

Inceneratori i Elbasanit, SPAK kalon për gjykim dosjen për Lefter Kokën dhe Alqi Bllakon

Gjykata e Posaçme ka kaluar për gjykim dosjen për ish-ministrin Lefter Koka, ish-deputetin Alqi Bllako  dhe 6 zyrtarë të tjerë në lidhje me aferën inceneratorit të Elbasanit.

Mesditën e sotme u mbajt pikërisht seanca, për Lefter Kokën, ish-deputetin Alqi Bllako dhe  zyrtarët e tjerë, ndërsa mësohet se SPAK nuk e ka shqyrtuar fare kërkesën e ish-ministrit dhe ish-deputetit për gjykim të shkurtuar.

Lefter Koka akuzohet se ka marrë ryshfet 2.7 milion euro për dhënien e lejes së ndërtimit të inceneratorit të Elbasanit, ndërsa Bllako për komunikimin me Klodian Zota ku i pasqyron mënyrën se si do të bëhet gara.

Vendimin për të kaluar për gjykim dosjen,e ka marrë gjyqtarja, Rudina Palloi, ndërsa akuzat që rëndojnë mbi ta janë tre, “Shpërdorim detyre”, “Korrupsion” dhe “Pastrim parash”.

Koka dhe Bllako janë akuzuar se kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal.

Koka, në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k, që janë përfitueset e kontratës së konçensionit, përfitimet e parregullta monetare, në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skemefiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë konçensionare, duke përdorur disa shoqëri tregtare të tjera të kontrolluara në mënyrë të tërthortë prej tij, të kontrolluara prej personave familjarë të tij, si dhe të kontrolluara prej subjekteve tregtare në zotërim të tij.

Hetimet e SPAK për inceneratorin e Elbasanit kanë rënduar pozitat e Bllakos, ku përveç akuzës së ‘shpërdorimit të detyrës’, kryer në bashkëpunim, Prokuroria e Posaçme ka ngritur ndaj tij edhe akuzën e ‘korrupsionit’.

Pas arrestimit të Kokës, SPAK shpjegoi se në cilësinë e ministrit të Mjedisit ai ka shkelur procedurat për dhënien e licencës dhe miratimin e vijimit të ndërtimit të objektit, ndërsa Gugallja e Zoto, akuzohet se kanë pastruar para dhe kanë dhënë rryshfet në drejtim të Kokës me qëllim sigurimin e lejes për ndërtimin e inceneratorit për të gjeneruar më pas fatura fiktive duke u vjedhur shtetit rreth 3.6 milion euro.

Pas hetimeve të kryera, SPAK ka zbuluar se shuma prej 3.6 milion eurosh i është dhënë në formë rryshfeti pikërisht Lefter Kokës.

Si funksiononte skema

Pasi morën lejen përmes dhënies së rryfshfetit në drejtim të Lefter Kokës sipas SPAK, inceneratori i Elbasanit, në pronësi të kompanisë “Albtek Energy” sh.p.k, e administruar nga Stela Gugallja bënte fatura fiktive duke i faturuar punë të pakryera kompanisë “Integrated Technology Services” sh.p.k.

Duke qenë se inceneratorët ishin projekte, të cilat u ndërtuan me fondet e shtetit shqiptar, ishte buxheti që duhej të përballonte këto pagesa.

Rrjedhimisht, sipas SPAK, nëpërmjet kësaj skeme, buxhetit të shtetit i janë shkaktuar rreth 3.6 milion euro dëm. Këto para sipas SPAK i kanë kaluar në formë rryshfeti Lefter Kokës.

Pasi janë faturuar në mënyrë fiktive, sipas SPAK, shuma prej 3.6 milion euro i ka kaluar Lefter Kokës sërish përmes faturave fiktive, tashmë të lëshuara nga dy kompanitë “Albtek Energy” sh.p.k dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. ndaj kompanive në pronësi të ish-ministrit apo të të afërmve të tij. ./zoom.al/

Related Posts