Aplikacion
Gjatë një takimi elektoral në qytetin e Elbasanit përpara zgjedhjeve lokale të 14 majit, kryeministri Edi Rama këmbënguli se investimi për ndërtimin e incineratorit po funksiononte, ndërsa akuzoi opozitën se kërkonte ta kthente Elbasanin “te mali me plehra”.
“Ata kanë punë e vet, impianti është aty dhe Elbasani e ka ajrin pastër,” tha Rama.
Të njëjtën linjë ndoqi edhe kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja, i cili akuzoi kundërshtarin e tij politik se po hidhte “vrer e baltë” në lidhje me punën e inceneratorit. Më 7 prill, sipas një kronike të parapërgatitur televizive, Llatja u shfaq në ambientet e incineratorit për ta vënë atë në punë pas një remonti.
“Në fakt, ja ku është impianti. Mund ta shikoni në të gjitha proceset e tij. Qytetarët dinë ta dallojnë gënjeshtrën nga realiteti,” deklaroi ai.
Inceneratori i Elbasanit është i vetmi impant i përfunduar nga tre kontratat e kushtueshme të partneritetit publik privat të qeverisë shqiptare, të hetuara ose gjykuara për korrupsion dhe pastrim parash nga Prokuroria e Posaçme, SPAK.
Por ndryshe nga deklaratat publike të Ramës dhe Llatjes, të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se edhe ky impiant ka shfaqur defekte të shpeshta, duke rritur malin me mbetje të patrajtuara në landfillin e Elbasanit si dhe duke rrezikuar një krizë të re mjedisore për bashkitë e qarkut.
Inceneratori i Elbasanit administrohet prej dhjetorit 2021 nga kompania publike Eco-Elb përmes një kontrate qiraje me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, AAPSK.
Në dhjetor 2023, kompania Eco-Elb deklaroi në një përgjigje me shkrim për këshilltarët bashkiakë të opozitës se impianti kishte punuar me ditë dhe nuk kishte prodhuar energji elektrike gjatë vitit 2023.
“Impianti gjatë vitit 2022 ka punuar rreth 24 ditë, ndërsa për vitin 2023 ndezja e impiantit u realizua në muajin prill dhe vazhdon funksionimi i tij. Gjatë kësaj kohe, (prill-shtator 2023) janë shfaqur defekte, të cilat kanë çuar deri në fikje të detyruar të impiantit,” thuhet në përgjigjen e administratorit Leli Kaja të cilën BIRN e disponon.
Dokumenti tregon gjithashtu se sasia e mbetjeve të depozituara në landfill e ka tejkaluar kapacitetin e këtij të fundit, duke krijuar “malin me plehra” që kryeministri premtoi të zhdukte.
“Në këto rrethana, sasia e mbetjeve që nuk trajtohet depozitohet në lendfill. Kapaciteti i lendfillit është tejkaluar, pa llogaritur këtu sasinë e mbetjeve ekzistuese në lendfill, para nënshkrimit të kontratës së qirasë, midis shoqërisë sonë me AAPSK,” thuhet në përgjigje.
Këshilltarët e opozitës në bashki, ekspertë të mjedisit dhe anëtarë të shoqërisë civile akuzojnë se pasojat e projektit kontravers në mjedis dhe buxhetin lokal janë të rënda, ndërsa vënë në dukje se për funksionimi e tij nuk ka transparencë as nga bashkia dhe as nga kompania publike ECO-ELB.
“Tejkalimi i kapacitetit të landifillit rëndon dhe shton rreziqet e ndotjes,” thotë Ahmet Mehmeti, një ekspert i mjedisit në Elbasan, që shton se inceneratori duhej ta shmangte këtë situatë.
Edhe anëtarja e Këshillit Bashkiak, Bjanka Çobja i tha BIRN se qytetarët po paguanin për një shërbim fiktiv dhe se kompania publike abuzonte duke kryer tendera sikur impianti të ishte në punë.
Mungesë transparence
Afera e inceneratorëve u ka kushtuar deri më sot taksapaguesve shqiptarë rreth 150 milionë euro, ndërsa një numër i lartë zyrtarësh publikë janë nën akuzë ose janë shpallur fajtorë për veprat penale të korrupsionit, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.
Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish-deputeti socialist, Alqi Bllako si dhe tre administratorët e kompanive të inceneratorëve, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja janë dënuar për vepra penale të lidhura me aferën e inceneratorëve, ndërsa ish.zv.kryeministri Arben Ahmetaj ndodhet në arrati.
Inceneratori i Elbasanit është më i vogli mes tre impianteve të planifikuara dhe i kushtoi buxhetit të shtetit 26 milionë euro. Ndonëse u mburr nga qeveria për teknologjinë dhe zgjidhjen që do të ofronte në përpunimin e mbetjeve, impianti është ndezur me hope.
Të nxitur nga shpërthimi i një zjarri masiv gushtin që shkoi, një grup i këshilltarëve të opozitës në Këshillin Bashkiak të Elbasanit kërkuan më 26 tetor 2023 informacion mbi funksionimin e inceneratorit. Bashkia Elbasan është aksionarja më e madhe në kompaninë publike me 52 për qind të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër ndahet mes 6 bashkive të tjera të qarkut.
Dy muaj më vonë pas shumë letërkëmbimesh, këshilltarët morën një përgjigje me informacione kontradiktore dhe të cunguara.
“Ne kemi marrë vetëm një pjesë shumë të vogël të përgjigjeve nga kjo kërkesë për informacion dhe u deshën dy muaj për të marrë një përgjigje,” i tha BIRN Bjanka Çobja, anëtare e Këshillit Bashkiak Elbasan.
Në përgjigjen që disponohet nga BIRN, administratori Kaja herë pohon që inceneratori është funksional dhe herë të tjera thotë që ai është fikur për shkak të defekteve. Por ai pranon në shkresë që impianti gjatë vitit që shkoi nuk ka prodhuar energji elektrike, për shkak të problemeve në gjenerator dhe turbinë.
Gjithashtu, Kaja pohon se në landfill ishin depozituar rreth 34 mijë ton mbetje gjatë vitit 2022 dhe 36 mijë ton mbetje deri në shtator të vitit 2023, pa llogaritur sasinë e akumuluar të mbetjeve të depotizuara përpara lidhjes së kontratës së qirasë.
Ai shton se ka njoftuar bashkitë e qarkut Elbasan për tejkalimin e kapaciteteve të landfillit, ndërsa thekson se e ka të pamundur momentalisht që të kryejë investime për ndërtimin e një landfilli të ri për shkak të situatës juridike me asetet e impiantit.
Rama i dhuron statusin e investitorit strategjik dhëndrit të Trump në prag të inaugurimit