zoom

Ide & Blog

Inceneratorët/ Mina nga të dy krahët hetimit parlamentar

Mes një pirgu dokumentash, kryetarja e Komisionit Hetimor Parlamentar për Inceneratorët, Jorida Tabaku, duket e vetme në përpjekjen për të zbardhur atë që opozita e konsideron si aferën më të madhe korruptive në vend, apo “Vjedhjen e Shekullit”.

Mes dyshimeve se ky komision është ngritur për ta mbyllur aferën, Tabaku po mundohet të tregojë se PD nuk është palë, megjithëse përjashtimi nga Komisioni i LSI-së që zbërtheu vjedhjen në inceneratorin e Elbasanit, duket kompromentues (lexo këtu shkrimin e Zoom.al).

Por aq e pavendosur po shfaqet në realitet opozita në këtë orvatje, saqë mazhoranca e ka penguar deri tani hetimin lehtësisht, në çdo formë. Teksa afati 3 –mujor po skadon, Komisioni nuk ka mundur të mbledhë ende informacione thelbësore nga Institucionet shtetërore.

 

Jorida Tabaku, kryetare e Komisionit Hetimor Parlamentar per Inceneratoret

Refuzimi i policisë për t’i dhënë Parlamentit të dhënat e sistemit TIMS, për politikanët që opozita thotë se janë përfshirë në këtë aferë dhe që kanë udhëtuar me dhjetëra herë me pronarët e inceneratorëve, është skandaloz dhe i paligjshëm.

Sipas ligjit, Komisioni Hetimor Parlamentar ka të gjitha atributet e prokurorisë për të hetuar, përveç se “nuk mund të ngrejë akuza penale dhe as të ushtrojë atributet e gjykatave”. Në Nenin 14 të Ligjit për Komisionet Hetimore, ku përcaktohen kompetencat e komisionit, thuhet se Komisioni “thërret titullarë institucionesh për pyetje, si dhe kërkon nga ata informacione ose dokumente zyrtare”.

Deri tani rasti më flagrant i shkeljes së këtij Neni është pengesa e ngritur nga policia për të dorëzuar të dhënat e sistemit TIMS. Komisioni “Tabaku” është mjaftuar me një përgjigje refuzuese të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, i cili shpjegon se vënia në dipozicion e këtyre të dhënave cënon privatësinë e personave “nën hetim” nga Komisioni.

Gledis Nano, drejtor i Pergjithshem i Policise se Shtetit

Por Zoom.al ka mësuar se SPAK, që po heton aferën, i ka marrë tashmë këto të dhëna nga TIMS. Përse nuk do të duhet t’i kishte edhe Komisioni Hetimor që ka atributet e prokurorisë?

Udhëtimet e politikanëve me pronarët e inceneratorëve konsiderohen si “thembra e Akilit” në këtë aferë. Opozita duhet ta kishte përqendruar aty të gjithë vëmendjen e saj për të hetuar, pasi aty do të shihte fluturimet jashtë shtetit të ministrave, ish –ministrave, kryebashkiakëve e zyrtarëve të tjerë me bosin në kërkim të inceneratorëve, Klodian Zoton. Ajo duket të kishte kushtëzuar edhe votën për zgjatjen e “vetting-ut” me të drejtën e saj për të pasur të dhënat e sistemit TIMS, por nuk e bëri.

Përmes të dhënave të TIMS-it, PD do të kishte provuar me fakte edhe akuzat që i bëri në parlament ish –ministrit Damian Gjiknuri se ka udhëtuar të paktën 16 herë më Zoton . Ajo do të kishte pasur mundësinë, po ashtu, të faktonte para të gjithëve nëse me Klodian Zoton, Klodian Mërtirin e Stela Gugalljan kanë udhëtuar edhe Arben Ahmetaj, Erion Veliaj, Alqi Bllako apo zyrtarë të tjerë që PD e LSI kanë paditur edhe në SPAK apo që PD i ka futur në listën e personave të thirrur për të dëshmuar.

Klodian Zoto, bosi i Inceneratoreve

Edhe pse PD e di se aty në TIMS mund të zbërthehet shumëçka, ajo e ka devijuar hetimin në ekspedita pranë inceneratorëve, në ekskursione pa drekë të panevojshme përballë zullumit që fshihet në udhëtimet e zyrtarëve me të shpallurit në kërkim.  Është si të kërkosh gjurmët e ujkut, kur ujku po të shqyen kopenë. Me këtë sjellje ajo po e minon më shumë se vetë mazhoranca hetimin për skandalin që ka shpërthyer dhe po i bën akoma më të pabesueshme thirrjet dhe përbetimet e Lulzim Bashës për drejtësi. 

Siç e thamë më lart në këtë shkrim, vënia në dispozicion e të dhënave zyrtare është detyrim ligjor. E derisa PD nuk insiston në zbatimin e ligjit një për një, të gjitha energjitë që Jorida Tabaku po harxhon në komisionin hetimor i ngjajnë stërvitjes së një boksieri, i cili ende nuk e di se trajneri nuk do ta ngjisë asnjëherë në ring për t’i dhënë grushta të vërtetë kundështarit. /Zoom.al

Postime të lidhura