zoom

Aktualitet

Ilir Meta: Ja përse SPAK duhet të nisë hetimet për Drejtorin e Policisë

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta dha një tjetër mesazh për publikun nga qelia.

Këtë herë ai ju rikthye çështjes së arrestimit të tij, duke përsëritur edhe njëherë akuzat se ai u vu në pranga si kriminel i rrezikshëm.

Ilir Meta krahasoi arrestimin e tij me atë të Erion Veliajt dhe shtoi se minimalisht Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda duhet të ishte vënë nën hetim pse aksioni për prangosjen e tij u bë nga policia dhe jo Forcat e Operacionales.

Meta e bëri reagimin për moderatoren e “News24”, Ola Bruko, pas një interviste që ajo kishte bërë me Belind Këlliçin.

Reagimi i plotë i Ilir Metës:

E dashur Ola,
Duke kujtuar me shumë kënaqësi intervistën tonë te “Dola te Ola” ju them se vijoj t’ju ndjek edhe nga qelia Nr.5.
Ju ndoqa edhe sot gjatë intervistës me një nga drejtuesit e opozitës, z.Belind Këlliçi.
Por u habita, që ndoshta për shkak të etikës së profesionit, ju ende i qëndroni variantit të Narkopolicisë, lidhur me rrëmbimin tim kriminal.
Kur z. Këlliçi ju referoi rastin tim dhe standardin e rrëmbimit kriminal, krahasuar me shoqërimin korrekt të Veliajt, ju i thatë se kjo kishte ndodhur se unë sipas tyre kisha kundërshtuar Policinë e Shtetit.
E dashur Ola,
Më vjen keq që i qëndroni variantit të Narkopolicisë. Së pari pamjet janë shumë të qarta. Së dyti nëse Policia do të më kishte paraqitur mua një njoftim sipas ligjeve, për çdo qytetar, padyshim që unë do ta kisha respektuar.
Por jo vetëm nuk më është paraqitur asnjë dokument, por ata as nuk janë identifikuar, përkundrazi ishin banditë me kapuçë dhe me maska, që vijuan sjelljen në mënyrë provokative dhe banditeske.
Kam disa pyetje për ju.
Për hir të së vërtetës, a duhet të hynin në automjetin tim me kamera profesionale apo me armatim të rëndë, siç hynë?
Përse duhet të bëshin ato veprime nga Policia e Shtetit?
Përse unë të mos shoqërohesha me automjetin tim, siç u veprua në rastin e Veliajt? Sepse siç e dini jam shoqëruar me një automjet privat.
Çdo të thotë deklarata e ministrit të Brendshëm që mund të kishte vajtur edhe më keq? Besoj e dëgjuat Arben Ahmetaj, që ky ministri i Brendshëm ishte shkarkuar për korrupsion.
Siç besoj e dini që kemi bërë kallzim penal për rrëmbimin tim, sepse SPAK këtë detyrë ja kishte ngarkuar Policisë dhe jo Forcës Lëvizëse Operacionale dhe minimum duhet të kishin nisur çështjen për Drejtorin e Policisë për këtë inskenim kriminal që as nuk do ta trembë opozitën.
Rrëmbimi im do të kujtohet si standardi më i zi për të drejtat e njeriut që vendosi Edi Rama me përfaqësuesit e Narkoshtetit në të gjitha nivelet e tij.
Sigurisht që nuk ndjej zili për veprimet korrekte ndaj Veliajt, por absolutisht që kam vetëm një kërkesë: Të gjithë ato lekët e inceneratorit fantazmë që janë vjedhur t’u kthehen qytetarëve të Tiranës.
Pavarësisht nga rezervat, ishte kënaqësi të dëgjoja që edhe Kreu i Organizatës e ditka që ekziston një parim i prezumimit të pafajsisë.
E dashur Ola,
Të përshëndes dhe nëse dëshiron të bësh një intervistë me mua, jam i gatshëm në çdo moment, nëse të jep leje SPAK-u sigurisht.

Postime të lidhura