zoom

Lajme

Ilir Meta: Burgu i Durrësit, selia e dytë e Rilindjes. Lumë takimesh me Veliajn

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta denoncoi këtë të premte takimet pa leje që merr çdo ditë, sipas tij, Erion Veliaj në burgun e Durrësit.

Meta tha se ky burg është kthyer në selinë e dytë të Partisë Socialiste, me aq shumë funksionarë që shkojnë çdo ditë për të takuar Veliajn.

E kundërta ndodh, sipas Metës, me ata që duan të takojnë kreun e Partisë së Lirisë në qeli. Duke ju referuar rasteve të Petrit Vasilit, Erisa Xhixhos dhe Fredi Belerit, Meta tha se ata pengohen për ta takuar atë në burg.

Reagimi i Ilir Metës:

E paimagjinueshme ajo që ndodhi sot ku deputetët e Partisë së Lirisë, Z. Petrit Vasili dhe Znj. Erisa Xhixho, u penguan për orë të tëra dhe nuk u lejuan, në shkelje të hapur të ligjit, të Kushtetutës dhe të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, të më takonin në ambientet ku prej 4 muajsh mbahem i izoluar në ekstrem pa fakte dhe pa prova penale.

Ky rast i përsëritur, pas ndalimit po të dhunshëm, që iu bë deputetit dhe kryetarit të PBDNJ, Z. Vangjel Dule dhe eurodeputetit, Z. Fredi Beleri, dëshmon edhe njëherë “standardet europiane” të Narkoshtetit dhe Narkodrejtësisë, që më mohojnë edhe të drejtën për t’u takuar deputetë dhe drejtues të Partisë së Lirisë, sipas përcaktimeve ligjore që janë respektuar prej tyre në mënyrë shumë ligjore dhe rigoroze.

Asnjë surprizë nga ky regjim kriminal, që më rrëmbeu në mënyrë banditeske dhe më mban të izoluar pa prova dhe pa fakte penale, kur ndërkohë të gjithë i panë veprimet shumë korrekte dhe plot përkujdesje për arrestimin e Veliajt.

Ndërkohë të gjithë e dinë se burgu i Durrësit është kthyer në selinë e dytë të “Rilindjes” ku hyjnë e dalin pa autorizim prokurori dhe pa leje nga Drejtoria e Burgjeve kushdo që shpreh dëshirën për t’u takuar me bashkëpunëtorët e Edi Ramës, që po ai vetë i futi në burg.

Beteja me Narkoshtetin është betejë për barazi përpara ligjit, që dhunohet nga Narkoqeveria e inkriminuar gjer në fyt.
Asnjë iluzion të mos kenë se do të më pengojnë që të udhëheq Partinë e Lirisë drejt fitores mbi narkotrafikantët e ulur në Qeveri, Kuvend, pushtet lokal dhe në sistemin e drejtësisë.

Postime të lidhura