zoom

Aktualitet

“Ia shpërndau një shok”- E reja u vetëvra pas publikimit të fotos intime, Altin Çoku: E bëri vetë

39-vjeçari Altin Çoku, i arrestuar nën akuzën se shkaktoi vetëvrasjen e 27-vjeçares në Kamëz mbrëmjen e së shtunës, ka deklaruar se nuk e ka shpërndarë ai foton intime me viktimën por një shok i tij.

Ai ka pretenduar se ka qenë vajza që ka realizuar foton dhe se ia ka dërguar atij me mesazh.

Në një video në TikTok pak ditë më parë, Altin Çoku kishte deklaruar se: “A e di çfarë më ka bërë burri i huaj mua, shoku i ngushtë?

Unë ishe me një shoqen timen në hotel dhe ajo bëri një foto lakuriq, kokën te gjoksi im. Më pas dola për kafe me një shokun tim dhe unë telefonin e mbaj pa kod, kur shkova në banjon e lokalit ajo goca më ka nisur foton, duke më thënë shihe çfarë foto kemi bërë në hotel. Edhe ky shoku im ka shkuar ka marrë foton dhe ia ka shpërndarë miletit, të cilët kanë hapur profil në Tik Tok. Goca e huaj e ndarë nga burri dhe ka tentuar dy herë të vrasë veten.”

27 vjeçarja jetonte me qira në Kamëz, ashtu si autori i arrestuar. Ajo ishte e martuar me një shtetas nga Kosova me të cilin kishte dhe një vajzë. Problemet në çift kishin bërë që martesa të mos funksiononte dhe të kishte një krisje.

Teksa çifti ishte drejt ribashkimit publikimi i fotos me Çokun bëri që 27-vjeçarja të pësonte trauma dhe të ndërmerrte aktin ekstrem.

Ndërkohë tezja e viktimës ka pretenduar se 39-vjeçari e ka vrarë.

“Është një legen që ma mori gocën në qafë, i ka bërë foto. Unë jam tezja, unë e kam rritur atë gocë, ajo me ne është rritur. Nuk janë të vërteta lajmet që kanë dhënë deri tani. E vërteta është që gocën time kanë vrarë. Kanë ardhur këtu e kanë shtyrë. Ajo nuk do e kishte lënë kurrë vajzën 2-vjeçe. Atë e kanë vrarë, ai personi që është arrestuar.

Nuk e di çfarë ka ndodhur, se këto muhabete kanë ndodhur 2 ditët e fundit dhe vajza nuk m’i ka thënë. Goca do vinte te unë në Itali, ai nuk e di çfarë i bëri. Ose mori vesh që do vinte në Itali dhe e ka vrarë. Ajo nuk e ka vrarë veten dhe lajmet nuk janë të vërteta. Ajo kishte një problem me bashkëshortin dhe ishte një ndarje për momentin, ndoshta do bashkoheshin prapë”, tha ajo.