zoom

Aktualitet

“I thash ulu, e q*llova në gjoks”/ Nuredin Dumani rrëfen si grabiti kambistin: Sa po falej Namazi…

I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani rrëfeu këtë të enjte në sallën e gjyqit disa nga krimet për të cilat ai akuzohet.

Midis të tjerash, ai tregoi për grabitjen e një kambisti në Elbasan, ngjarje e ndodhur në vitin 2018.

Sipas Dumanit, gjithçka u zhvillua teksa po falej Namazi. Ai tregoi se i ka kërkuar kambistit të ulej në tokë, por pasi ky i fundit ka bërë rezistencë, e ka vrarë duke e qëlluar me plumb në gjoks.

Gjatë seancës gjyqësore, Nuredin Dumani rrëfeu se bashkëpunëtorët e tij ishin Dorian Shkoza, Ardian Çollaku, Gent Sharra dhe Talo Çela.

Pas kryerjes së grabitjes, grupi është larguar me një “Opel” të bardhë, duke kaluar mes për mes qytetit.

Më pas, janë ndalur pranë një kapanoni, ku kanë hapur paratë dhe Dumani ka lënë armën.

“Grabitja ka ndodhur në 2018. Kambistin e grabitëm sa po falej Namazi, se ishte Ramazani, pashë njerëz që shkonin në xhami, pranë Kalasë. Për fat të keq të tyre, gjithë kambistët dalin në të njëjtën orë.

Pasi morëm çantat e kambistit, vazhduam rrugën nëpër qytet, është një rrugë aty, pranë një kapanoni, e kishte në disponim, Ardian Cullaku, nuk e di a ishte pronari. Lamë lekët aty, i numëruam. Grabitjen e kryem me një mjet, “Opel”. Dorian Shkoza e gjeti makinën, e përdorëm, pastaj e çuam prapë në Durrës, e goditëm pastaj të dukej sikur e kishin përplasur. I vumë xhama të zinj mbrapa shtëpisë së Talo Çelës.

Shkova pranë kambistit, i thashë ulu në tokë. Ai jo vetëm që nuk u ul, po më tha, gjuaj. Pastaj e qëllova një herë ose dy në gjoks. Pastaj një herë tjetër në kupën e gjurit. Pastaj ikëm në Durrës.

Unë mora diku mes 17 deri 20 milionë lekë. Mi solli lekët Talo Çela dhe Bujar Çela. Gentian Sharra, Talo Çela dhe Dorian Shkoza dhe Ardian Çollaku kemi marrë të njëjtën shumë. Të tjerët më pak”, dëshmoi Nuredin Dumani.

Postime të lidhura