Aplikacion
Në dëshminë e dhënë për Policinë e Shkodrës, Arjon Hasaj ka treguar se arsyeja pse e ka vrarë Ramazan
Para oficerëve të policisë gjyqësore, autori ka treguar se Ramazan Mataj ka ndikuar në prishjen e dy martesave të motrës së tij.
“Unë jam personi që e kam vrarë shtetasin Ramazan Mataj. Prej 6 vitesh ai kishte një lidhje me motrën tonë. Ramazani është personi që i ka prishur dy martesa motrës në 6 vitet e fundit. Ai këtë histori ia ka treguar shumë personave në fshat dhe më gjerë, ndërsa është personi që divorcoi dy herë motrën tonë. Madje ka shpërndarë edhe disa video tek ish-burri i dytë dhe tek njerëz të tjerë në fshat në momente intime me motrën”.
Arjon Hasaj më pas ka pohuar se kishte hapur një llogari të rreme me profilin e një vajze në rrjetet sociale për të siguruar një takim me Matajn.
“Unë hapa një llogari false në Instagram me emrin e një vajze dhe lashë një takim me Ramazan Mataj. Ai erdhi dhe aty e qëllova me armë zjarri. Më pas armën e fsheha disa metra më tutje nga vendi ku e vrava. Pas vrasjes jam larguar me biçikletë drejt banesës. Armën e kam patur në shtëpi prej disa kohësh. Motra ka disa kohë që nuk jeton në banesën tonë, jetonte në Shkodër”, mësohet të ketë deklaruar Hasaj.
Pas ngjarjes së rëndë policia e Shkodrës ka kryer përgjime në banesën e familjes Hasaj.
Gjatë përgjimeve, dy vëllezërit kanë folur për vrasjen e realizuar nga Arjoni, si dhe në një moment del se autori kryesor, Arjon Hasaj është penduar që kishte fshehur armën dhe ka shkuar duke e marrë sërish dhe duke e groposur në oborrin e shtëpisë për të qenë më i sigurt.
Pas këtyre përgjimeve policia arrestoi dy vëllezërit Hasaj si autorë të dyshuar të vrasjes së shtetasit Ramazan Mataj.
Pas krimit, dy vëllezërit e fshehën armën në një zonë të pyllëzuar dhe më pas e groposën në tokë në oborrin e banesës së tyre.
“Si rezultat i kontrolleve është bërë e mundur gjetja e armës së zjarrit me të cilën dyshohet se autori ka kryer vrasjen. Në përfundim të hetimeve, 2 vëllezërit Arjon dhe Klisman Hasaj janë arrestuar”, – njoftoi policia.