zoom

Aktualitet

I moshuari vrau shokun e dhomës, arrestohen dy infermieret e azilit! Tentuan të fshihnin ngjarjen

Janë arrestuar dy infermieret e turnit në azilin ku 78-vjeçari Zyhdi Shehu goditi për vdekje me bastun shokun e tij të dhomës, Virxhil Vesho.

Dy të rejat me iniciale Glesantina Saraç, 26 vjeçe, dhe Nazime Mulla, 31 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë, akuzohet se tentuan të fshihnin ngjarjen.

Sipas uniformave blu, ato nuk kanë njoftuar organet kompetente për ngjarjen e ndodhur si dhe kanë kryer veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Njoftimi:

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, më datë 08.08.2024, ndodhur në një azil privat për të moshuarit, ku shtetasi Z. Sh., 78 vjeç, ka goditur me bastun shtetasin V. V., i cili si pasojë e dëmtimeve të marra ka humbur jetën, ju informojmë se:

Në vijim të veprimeve hetimore të thelluara të kryera u arrestuan shtetaset G. S., 26 vjeçe, dhe N. M., 31 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë, me profesion infermiere në azilin ku akomodoheshin dy të moshuarit.

Nga hetimi i kryer u siguruan prova të mjaftueshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se dy të arrestuarat në bashkëpunim me njëra-tjetrën, kanë konsumuar veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301/25 i Kodit Penal.

Këto dy shtetase nuk kanë njoftuar organet kompetente për ngjarjen e ndodhur si dhe kanë kryer veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Kush janë dy infermieret

Dy infermieret që u arrestuan nga policia pas ngjarjes janë Nazime Mulla dhe Glesantina Saraç. Njëra prej tyre mbante postin e kryeinfermieres.

Ato u ndaluan nga policia e Tiranës disa orë pas ngjarjes, të akuzuara se u përpoqën të fshehin vrasjen e të moshuarit Virxhil Vesho.

Nazime Mulla dhe Glesantina Saraç, pasi kanë parë trupin e pajetë të të moshuarit, kanë pastruar njollat e gjakut dhe më pas kanë telefonuar agjencinë funerale për të kryer ceremoninë e varrimit. Por, ato nuk kanë marrë në telefon policinë.

Ato kanë deklaruar se i moshuari humbi jetën pasi u rrëzua. Por pas këqyrjes së trupit të viktimës, agjencia funerale e ka kthyer trupin pas, pasi dyshonin se shenjat nuk ishin nga rrëzimi, por shenja të tjera dhune.

Virxhil Vesho u vra pasi u godit disa herë me bastun hekuri nga shoku i tij i dhomës në azil, Zyhdi Shehi.