zoom

Aktualitet

I hodhën në erë Range Rover-in, dëshmia që dha noterja në polici

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga shpërthimi me tritol ndodhur mbrëmjen e së premtes në automjetin tip “Range Rover”, të noteres Rezarta Koçi. Sipas grupit hetimor në automjetin e noteres nuk është vënë më shumë se 100 gramë tritol.

Nisur nga shpërthimi, hetuesit vlerësojnë se sasia e eksplozivit ka qenë e vogël, e për pasojë dyshohet se ka qenë një formë paralajmërimi për noteren. Koçi është marrë në pyetje nga policia ditën e djeshme, ku përpara hetuesve ka treguar edhe personat me të cilët ka pasur probleme.

Policia ka sekuestruar kamerat e sigurise, për të parë se kush ishin personat që i vendosën lëndën plasëse në makinën e noteres.

Policia i ka përqëndruar hetimet te konfliktet që Koçi, ka pasur për çështje parash nga persona të ndryshëm.

Zyrtarisht për mashtrim dhe përvetësim parash, noterja është denoncuar në polici dhe prokurori në katër raste, ku në një rast është kallëzuar në vitin 2019.

Ndërsa 3 kallëzimet e tjera i ka në vitin 2021. Por sipas burimeve nga grupi hetimor mësohet se ka edhe persona te tjerë që kanë pasur konflikte për çështje parash me noteren Koçi, por që nuk i janë drejtuar autoriteteve për ta kallëzuar.

Noteres Rezarta Koçi, në maj të këtij viti, iu hoq licensa përfundimisht nga Ministria e Drejtësisë, pasi një qytetar u ankua se noterja nuk kishte përdorur në mënyrë të rregullt llogaritë bankare.