Aplikacion
“Menjëherë pas ndalimit të Alban Velos, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka bërë pezullimin nga detyra të punonjësit të Policisë, inspektor Dilaver Velo, me detyrë trup shërbimi në Seksionin e Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 4, Tiranë.
Gjithashtu Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin e thelluar ndaj punonjësit të Policisë, të pezulluar nga detyra”, njofton policia.
6 muaj i janë dashur Albano Velos, djalit të efektivit të policisë së Komisariatit nr. 4, Dilaver Velo, që të marrë hak për vrasjen e shokut të tij Aleksandër Sadikaj, i ekzekutuar në qershor 2022.
30-vjeçari nga Këlcyra, Përmet është vënë në pranga në Rinas teksa po kthehej nga Franca në orët e para të mëngjesit të 1 janarit, atje ku ishte larguar vetëm katër ditë pas organizimit të atentatit dhe ekzekutimit të Edmond Papës më 16 dhjetor pranë një lokali në kryeqytet. Ai kishte monitoruar lëvizjet e tij dhe duket se ka pritur që të vijë në Shqipëri për ta vrarë në bashkëpunim me 44-vjeçarin e identifikuar si A.B., banues në Tiranë. Ky i fundit është shpallur në kërkim si bashkëautor i vrasjes së Papës.
Autorët e kanë ndjekur për disa ditë Edmond Papën dhe ditën e ngjarjes kur sapo ishin kthyer nga jugu arritën realizimin e krimit pranë një lokali në Selitë. Në kuadër të operacionit ‘Eagle Eyes’, forcat blu kanë sekuestruar kamerat e sigurisë dhe automjetin tip ‘Audi’ të përdorur nga autorët e dyshuar para dhe pas krimit. Po ashtu u sekuestruan edhe 3 aparate celular. Para hetuesve të policisë, Albano Velo ka mohuar autorësinë e vrasjes, qëndrim të cilin e mbajti edhe para gjykatës në seancën për caktimin e masës së sigurisë. Ai do të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve. Në rrjete sociale Albano Velo reklamon jetën e luksit, teksa nuk mungojnë makinat e shtrenjta dhe tufat me para.
Hetuesit dyshojnë se vrasja e Papës të jetë bërë për hakmarrje, teksa e lidhin atë me ekzekutimin e Sadikajt. Policia është e rezervuar në dhënien e detajeve, por mendohet se po punohet ngushtë për zbardhjen e vrasjes së Sadikajt, e mbetur e pazbardhur edhe pas më shumë se gjashtë muajsh. Një tjetër pistë e dyshuar për vrasjen e Papës është raportuar larja e hesapeve për një sasi prej 700 kg kanabis që solli edhe ekzekutimin e 2 shqiptarëve Kreshnik Çerçizaj dhe Armando Organaja në Athinë. Urdhri dyshohet se u dha nga Klodian Lekocaj, i burgosur në Greqi. Por pas lidhjes së Sadikajt me autorin e vrasjes së Papës, kjo pistë mund të rrëzohet.