zoom

Aktualitet

I akuzuar për vrasje, arrestohet 34-vjeçari/ Emri

Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “Mushan”, ndërsa arrestoi një shtetas të akuzuar për vrasjen e Ridvan Ramazanit, ngjarje e ndodhur më datë 28.11.2020.

Nga strukturat e posaçme të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër, pas informacioneve të marra në rrugë operative dhe punës së mirorganizuar u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim:

Hydajet Mehmedaj, 34 vjeç, banues në fshatin Mushan, Shkodër.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pas informacioneve të marra dhe lokalizimit të tij në një bar-kafe në fshatin Mushan, Shkodër.

“Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasit D. M. (i shpallur në kërkim) dhe M. Gj. (i arrestuar ditën e ngjarjes), më datë 28.11.2020, ka vrarë me armë zjarri shtetasin R. H., 46 vjeç, banues në fshatin Darragjat, Shkodër.

Për shtetasin Hydajet Mehmedaj, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër, më datë 01.12.2020, ka nxjerrë urdhër ndalimi për veprat penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ngjarja

Më 28 nëntor 2020 u ekzekutua breshëri kallashnikovi Ridvan Ramazanit. Një prej bashkëpunëtorëve në vrasje, Milkjor Gjoka ka treguar në Polici gjithë dinamikën e ngjarjes, duke të zbardhur të plotë sherrin për të cilin ndodhi edhe vrasja e Ramazanit. Sipas Gjokës, sherri nisi mes tij, Elhad Ramazanit dhe Hydajet Mehmedajt.

Dy shokët, Mehmetaj dhe Gjoka ndodheshin në fshatin Mjedë për të blerë gjela deti dhe në kthim, rrugës për në fshatin Dajç, kanë nisur që të konfliktohen me Elhad Hysenin (Ramazanin) pasi ky i fundit kishte gërvishtur makinën e tij me një mjet që drejtohej nga një burrë i moshuar. Të nxehur nga debati, Hydajeti dhe Milkjori kanë shkuar në shtëpi për të lënë gjelat e detit dhe kanë marrë vëllain tjetër. Ky i fundit për siguri ka marrë edhe armën e tij tip kallashnikov. Në momentin që janë përballur më ‘kundërshtarët’, Gjoka pretendon se ka qënë Ridvani ai që ka qëlluar i pari ndaj tyre (version që konfirmohet edhe nga gëzhoja e gjetur në makinën e tij) dhe pikërisht në këtë moment, një prej autorëve të dyshuar ka dalë nga makina dhe nuk i ka ndalur të shtënat ndaj tij deri në ekzekutimin e “të fortit” të Shkodrës.“Në këtë moment zbresim nga makina unë dhe Hydajeti, ku unë shkova për t’i ndarë, duke marë për krahu Elhadin dhe i thashë: Hajde këtej se është marre me të pa kush duke bërë debat me pleqtë. Kurse Hydajeti i tha: Ik o legen mos u merr me këtë burrin plak. Ndërkohë Elhadi hipi në makinë, dhe duke ecur, nxori kokën nga xhami i makinës dhe tha: Hajde se po shihena më vonë, duke na sharë nga robtë e shtëpisë. Ridvan Ramazani, nga makina e tij, na qëlloi me pistoletë drejt makinës tonë, ku plumbi ka hyrë tek xhami i parë i imi dhe është ngulur tek kollona midis dy dyerve, mbas meje. Në këtë kohë ka dalë nga makina Dueli, i cili me armë në dorë fillon të qëllojë disa herë nga Ridvani. Më pas Dueli u drejtua nga karburanti, kurse Hydajeti ktheu menjëherë makinën dhe ikëm të dy drejt shtëpive tona. Dueli na tha: Ikni juve…, dhe në ikëm para, ku Hydajeti me la mua në afërsi të shtëpisë ndërsa vetë u drejtua për në fshatin Mushan Dajç,”-shkruhet ndër të tjera në dëshmi.