Aplikacion
Artur Ribaj, ish-drejtor në Departamentin e Mbikëqyrjes pranë AMF shpjegon sesi do të veprohet në vitin e parë të zbatimit. “Me koeficientin një flasim për vitin 0 të dëmeve. Do të regjistrohen dëmet nga janari 2025 dhe më pas nga janari 2026 do fillohet të shihet nëse do jetë bonus apo malus problematika e shkaktimit të dëmeve nga të siguruarit. Gjatë kësaj periudhe koeficienti nuk do ndikojë keq apo mirë”, tha Artur Ribaj, ish-drejtor Departamenti i Mbikëqyrjes.
Rregullorja përmban dhe disa faktorë risku përtej dëmeve që do regjistrohen. Të tilla si fuqia motorike, mosha e shoferit, eksperienca e tij në drejtimin e makinës, përdorimi i mjetit, qarku i regjistrimit të mjetit si dhe vjetërsia e makinës. Moshat e reja, eksperienca e ulët apo makina e vjetër konsiderohen të gjithë rreziqe që shtrenjtojnë siguracionin.
“Të gjithë faktorët fillojnë të aplikohen nga 1 janari. Çfarë është me rëndësi kompanitë e sigurimit po punojnë për automatizimin e sistemit. Mos ta lëmë në dorë të agjenteve. Të kemi një sistem ku shohim qartë dhe në mënyrë transparente se çfarë do të paguash”, u shpreh Artur Ribaj, ish-drejtor Departamenti i Mbikëqyrjes. A do të merret parasysh historiku i dëmeve të shkaktuara vite me parë? “Në fakt jo, kështu është gjykuar pavarësisht se historiku i dëmeve mund të gjendet. Por qëndron kjo lloj qasje”, tha Artur Ribaj.
Sistemi “bonus malus” – nga latinishtja, shpërble ose ndëshko është tentuar të aplikohet në vitin 2019 si edhe në vitin 2021 ku edhe u miratua ligji i ri, por pa sukses. Nëpërmjet këtij sistemi synohet që të rritet përgjegjshmëria e drejtuesve të mjeteve./A2