zoom

Aktualitet

Humbi jetën 24-vjeçarja, arrestohen dy drejtues automjetesh pas aksidentit tragjik në Korçë

Policia e Korçës ka arrestuar dy drejtues automjetesh, Trifon Mehmeti dhe Klaudio Kishta, të përfshirë në një aksident tragjik që ndodhi një natë më parë dhe shkaktoi humbjen e jetës së 24-vjeçares Zoi Ksila.

Sipas informacioneve të policisë, njëri nga automjetet po udhëtonte nga Bilishti në drejtim të Korçës, ndërsa tjetri nga Korça në drejtim të Kapshticës. Dyshohet se një manovër e gabuar nga njëri prej drejtuesve ka qenë shkaku kryesor i përplasjes fatale.

Policia ka njoftuar se dinamika e plotë e ngjarjes do të përcaktohet pas përfundimit të ekspertizës, e cila do të hedhë dritë mbi përgjegjësitë konkrete të drejtuesve të përfshirë. Hetimet vijojnë për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Aksi nacional Korçë-Kapshticë është një nga rrugët më të rrezikshme në Shqipëri, duke u përshkruar shpesh si burim aksidentesh, disa prej të cilëve fatale, sidomos në kryqëzimet e tij, që konsiderohen “njolla të zeza” për sigurinë rrugore.

Postime të lidhura