zoom

Bota

Historia tragjike e nënës me fëmijë/ I shpëtuan luftës në Ukrainë, por vdiqën në tërmetin e Turqisë

Julia Petrov dhe dy fëmijët e saj, të cilët ikën nga lufta në Ukrainë dhe u strehuan në Turqi, humbën jetën në Hatay pas tërmetit shkatërrues.

Ishte Vasyl Bodnar, ambasadori i Ukrainës në Ankara ai që konfirmoi lajmin.

“Për fat të keq, 6 nga qytetarët tanë ukrainas humbën jetën, ndërsa 6 të tjerë rezultojnë të zhdukur,”- tha ai.

Julia Petrov u largua me fëmijët e saj Zakhar (10) dhe Matvii (5) pas luftës Ukrainë-Rusi, që filloi më 24 shkurt 2022 dhe u strehua në Turqi.

Duke lënë burrin e saj në Ukrainë, që ishte ushtar në Forcat e Armatosura të Ukrainës, Petrov u vendos me një të afërm me 2 fëmijët e saj në lagjen Antakya të Hatay.

Ndërtesa ku jetonin Petrov dhe fëmijët e saj u shkatërrua nga tërmeti me magnitudë 7.7 që ndodhi më 6 shkurt.

Petrov dhe dy fëmijët e saj mbetën të bllokuar nën rrënoja. Burri i saj, i cili u plagos gjatë luftës dhe po trajtohej në vendin e tij, kontaktoi Ambasadën e Ukrainës në Ankara.

Babai, i cili mësoi se gruaja dhe fëmijët e tij ndodheshin në rrënoja, e mori lajmin e hidhur ditën që erdhi në Turqi. Trupat e Petrov dhe të dy fëmijëve u nxorën nga rrënojat më 14 shkurt dhe u dërguan në Ukrainë./ Zoom.al