zoom

Slider

Hipokrizi në ditën e Luizës! Kabineti i Ramës bën politikë dhe shpërfill trajnerin e kampiones…

Kryeministri i vendit, Edi Rama organizoi një ceremoni të veçantë për të nderuar kampionen e Evropës, Luiza Gega, e cila bëri krenar të gjithë shqiptarët duke valvitur në Mynih flamurin kuqezi.

Disa kritikë e shfrenuan fantazinë duke shkruar se rekordmenia kuqezi duhet të injoronte këtë pritje nga kryeministri në shenjë “hakmarrjeje” për lënien në harresë në fillimet e saj.

Por Gega, ritheksoi se kjo ishte një ndër ditët më të bukura në jetën e saj dhe me të drejtë.

Ka 20 vjet që vrapon, në ditë me shi e diell, me e pa kushte, më në fund u ngjit në çatinë e Evropës dhe e meriton ta shijojë plotësisht këtë sukses të jashtëzakonshëm, e bashkë me të edhe ne.

Kjo pritje duhet duartrokitur, sepse Luiza e meriton, por ajo që të le një shije të keqe dhe madje të vjen “për të vjellë” është fakti, që në atë sallë folën të gjithë, por jo ai që duhet të ishte i pari, trajneri i saj, Taulant Stërmasi.

Ai që ia bëri ëndrrat realitet Gegës dhe shqiptarëve duke i sjellë medaljen e parë të artë në atletikë.

Së paku, Stërmasi duhet të thoshte dy fjali, sepse ashtu si Gega, edhe ai ka qëndruar në shi e breshër për të stërvitur kampionen që kemi sot.

Por si zakonish,  kur vjen momenti i suksesit, politikanët tanë duan ta rrëmbejnë gjithçka për vete.

Gjithçka filloi me ministren e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, e cila kishte hipur në sendiljen e parë në kabriolen që shoqëronte Luizën dhe buzëqeshte, thua se ishte kampionia e Evropës, dora vetë…

Në sallën e konferencës, të gjithë filluan të bëjnë politikë, duke nisur nga Bora Muzhaqi, ministrja për Rininë, te Evis Kushi dhe Erion Veliaj.

Kryebashkiaku vijoi si zakonisht të bëjë propagandë dhe të kritikojë gazetarët që thonë të vërtetën, ndryshe nga ajo që paraqet ai me kasetat e tij.

Sërish Veliaj u shfaq arrogant duke shfrytëzuar këtë moment të veçantë të atletes për të bërë politikë.

Më pas foli edhe Rama, që si kryeministër i takon të thotë dy fjalë, edhe pse ai e teproi duke i vjedhur skenën kampiones sonë.

Shkruar për Zoom.al nga K.C /Zoom.al/