Aplikacion
Në reagim, organi i akuzës sqaron se vonesa disamujore për të konkluduar nëse mbetjet janë toksike apo jo kanë ardhur si pasojë e mungesës së laboratorëve të posaçëm.
Aktualisht, sipas prokurorisë, janë gjetur këta laboratorë dhe ekipi është gati për kryerjen e analizave.
“Aktualisht është identifikuar laboratori që plotëson dhe ka infrastrukturën për garantimin e respektimit të të gjitha protokolleve dhe standardeve ndërkombëtare dhe shumë shpejt do procedohet me marrjen dhe analizimin e mostrave.
Gjithashtu, gjejmë me vend të sqarojmë opininon publik se, në kuadër të këtij procedimi penal, Bazel Action Network dhe Mileukontakt Shqipëri, përfaqësuar nga Jim Puckett, i është drejtuar Prokurorisë Durrës nëpërmjet një emaili duke kërkuar që të pyetet si dëshmitar dhe të marë pjesë si ekspert dhe vëzhgues gjatë procesit të marrjes së mostrave dhe analizimit.
Në respektim të dispozitave ligjit procedural penal, Z.Puckett është ftuar për t’u paraqitur në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës në datë 04.12.2024 me qëllim dhënien e dëshmisë dhe dorëzimin e provave që dispononte. Në pamundësi të paraqitjes së tij fizikisht, Z.Puckett i ka dërguar nëpërmjet e-mailit”, njoftoi Prokuroria e Durrësit.
Dyshimet nga Rrjeti i Bazelit
Rrjeti i Bazelit ngriti dyshime serioze për hetimet e Prokurorisë së Durrësit, pasi, edhe pas 12 javësh nga mbërritja e anijes turke Moliva, me 102 kontejnerë mbetje të dyshuara toksike, organet ishin në heshtje.
“Nuk jemi të sigurt as nëse mostrat janë marrë dhe analizat kanë filluar,” tha zoti Jim Puckett nga BAN. “Nëse ka filluar, është shqetësuese që mostrat nuk janë marrë publikisht dhe pa ndjekur protokollet e duhura dhe zinxhirin e ruajtjes së provave. Trafikimi i paligjshëm i mbetjeve të rrezikshme është një çështje serioze që kërkon ndëshkim penal sipas konventave që Shqipëria ka nënshkruar. Nuk është e pranueshme që kjo të injorohet dhe të lihet në harresë,” shtoi ai.
Kontejnerët u nisën nga Durrësi korrikun e kaluar drejt Tajlandës, për t’u kthyer më pas në Durrës nga Singapori, kur Rrjeti i Veprimit të Bazelit (BAN), pas një sinjalizimi, zbuloi se autoritetet shqiptare dhe tajlandeze nuk e kishin autorizuar kurrë transportin./ Zoom.al