Aplikacion
Akuzat për korrupsion ndaj Erion Veliajt, përfshirë aferat si ajo e të famshmes dosje “5D”, kanë qenë në qendër të kritikave të opozitës dhe mediave të pavarura. Sipas tyre, ky projekt lidhet me tendera të fryrë dhe përfitime personale. Megjithatë, Arlind Qori ka zgjedhur të mos shprehë asnjë qëndrim publik për këtë çështje, duke habitur ata që e mbështesin si një figurë të drejtë dhe të palëkundur.
Në mbledhjet e Këshillit Bashkiak, ku ai ka mundësinë të adresojë këto çështje drejtpërdrejt, Qori vazhdon të ruajë një qetësi të dyshimtë. A është kjo një strategji politike për të mos hapur një front të ri konflikti, apo ka arsye të tjera më të thella pas kësaj heshtjeje?
Po ashtu ai vazhdon të heshtë për 4 veprat e rënda penale për të cilat po hetohet Erion Veliaj nga SPAK: korrupsion aktiv, korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë, fshehje pasurie dhe pastrim parash. Ai nuk thotë asgjë për dhjetëra mijëra eurot e gjetura bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxës.
Një tjetër teori që është ngjizur në diskutimet publike është dyshimi se Arlind Qori mund të jetë në një formë të lidhur me Veliajn, qoftë financiarisht apo politikisht. Sipas kësaj teorie, Veliaj, i njohur për strategjitë e tij të zgjuara politike, mund të ketë ndihmuar Qorin të hyjë në skenën politike për të dobësuar Partinë Socialiste të Edi Ramës. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë kemi të bëjmë me një skenar të ngjashëm me atë që Edi Rama zbatoi kur futi Erion Veliajn dhe lëvizjen MJAFT! për të dobësuar Fatos Nanon dhe për të marrë drejtimin e PS-së.
Heshtja që kompromenton figurën e Qorit
Pavarësisht nëse këto dyshime janë të vërteta apo jo, heshtja e Qorit ndaj Veliajt kompromenton rëndë imazhin e tij si një politikan i pavarur dhe i pakompromis. Një figurë që pretendon të luftojë korrupsionin dhe padrejtësitë nuk mund të zgjedhë të jetë selektiv në qëndrimet e tij. Nëse korrupsioni i pretenduar i Veliajt nuk është një prioritet për Qorin, atëherë për çfarë po lufton ai në politikë?
Nëse këto dyshime vazhdojnë të mbeten pa një përgjigje të qartë nga Qori, ai rrezikon të humbasë mbështetjen e atyre që besojnë në kauzat që ai pretendon të përfaqësojë. Besueshmëria e tij si një alternativë politike do të vihet në pikëpyetje, dhe roli i tij mund të shihet gjithnjë e më shumë si pjesë e një loje më të madhe politike, të orkestruar nga Erion Veliaj apo interesa të tjera të ngjashme.
Për t’i dhënë fund këtyre spekulimeve, Arlind Qori duhet të bëjë një qëndrim të qartë dhe publik mbi çështjen e Erion Veliajt dhe akuzat për korrupsion ndaj tij. Transparenca dhe koherenca janë cilësi të domosdoshme për një politikan që pretendon të sjellë ndryshim në skenën politike shqiptare. Heshtja, përkundrazi, mund ta vendosë atë në të njëjtin rang me ata që ai vetë i kritikon. Ai është tashmë nën akuzë publike se është marksist dhe refuzon ta pohojë apo mohojë atë, çka deri tani në fakt nuk e ka bërë. Me afrimin e zgjedhjeve të 11 majit ai po përballet me të tjera probleme të integritetit, transparencës dhe të qëllimeve të tij. /Zoom.al