zoom

Aktualitet

Hapen aplikimet për panele diellore, qeveria paguan 70% të shumës

Hapet thirrja e dytë për familjarët për panele për ngrohjen e ujit.

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku njoftoi këtë të martë se qeveria do të subvencionojë edhe 2 mijë familje të tjera për të vendosur panele në shtëpi.

Aplikimet për familjarët do të hapen në datën 24 shkurt.

“Procesi do të jetë i ndarë në dy faza. Nga sot, subjektet që duan të ofrojnë shërbimin dhe instalimin e panelit duhet të aplikojnë në faqen e Agjencisë për Eficencën e Energjisë. Më 24 shkurt, abonentët familjarë që kanë dëshirë të pajisen me këto panele që subvencionohen 70%, mund të aplikojnë”, tha zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.

Qytetarët do të mund të aplikojnë online, në faqen e Agjencisë për Eficencën e Energjisë.

Ata duhet të paraqesin kontratën ekzistuese të energjisë, të vërtetojnë se nuk janë debitorë ndaj OSHEE dhe të zotërojnë një certifikatë pronësie për banesën.

Thirrja e parë për panele diellore u hap në 2022, si një nismë e qeverisë për të shtyrë abonentët drejt kursimit për shkak të krizës energjetike.