zoom

Kosova

Haga shpall aktgjykimin më 16 korrik për Pjetër Shalën, ish-luftëtarin e UÇK-së

Më 16 korrik, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të shpallet aktgjykimi kundër ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, që akuzohet për krime lufte.

Shala ishte arrestuar në mars të vitit 2021 në Belgjikë dhe ishte transferuar në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në prill të atij viti.

Gjykimi ndaj tij nisi më 21 shkurt të vitit 2023 dhe në këtë proces gjyqësor morën pjesë tetë viktima. Ai është deklaruar i pafajshëm për katër pikat e aktakuzës: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000. /ZOOM.AL/