zoom

In Zoom

Hacker-at vodhën të dhënat e sistemit TIMS, por çfarë do të thotë e gjitha kjo?

Dëbimi i personelit iranian të Ambasadës së Iranit në Shqipëri do të sillte kundërpërgjigjen e radhës; hacker-at sulmuan mbrëmjen e djeshme sistemin tonë TIMS.

Lajmi u bë me dije (pak çaste më parë) nga kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili përmes një postimi në Twitter shkroi:

“Një tjetër sulm kibernetik nga të njëjtët agresorë, tanimë të ekspozuar dhe dënuar prej vendeve aleate e mike të Shqipërisë, është shënuar mbrëmë mbi sistemin TIMS! Ndërkohë vazhdojmë punojmë përditë pa orar me aleatët për t’i bërë të papenetrueshme sistemet tona digjitale”.

Tentativa për të vënë nën kontroll sistemin TIMS, me qëllim paralizimin e punës së policisë në pikat kufitare shqiptare ndodhi vetëm pak orë pasi Departamenti i Thesarit Amerikan shpalli sanksione ndaj Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë Iraniane dhe ministrit të saj, me akuzën se ata janë përgjegjës për sulmin kibernetik të ditëve më parë, ndaj Shqipërisë.

Por çfarë nënkupton kjo? Ç’natyrë të dhënash kanë në dorë tanimë iranianët?

Së pari ndalemi në sistemin TIMS, se ku konsiston saktësisht.

Sistemi i menaxhimit total të informacionit “TIMS” identifikon dhe administron hyrjet dhe daljet në pikat kufitare të Shqipërisë.

Sistemi TIMS është një bazë të dhënash elektronike që administrohet nga Drejtoria e Policisë së Shtetit, në cilësinë e kontrolluesit.

Sistemi TIMS, “skaneri” i kriminelëve

Personat me precedentë penalë apo të dënuar në autoritete shqiptare dhe të huaja, nuk mund të depërtojnë në Shqipëri dhe të dalin jashtë saj, pasi të gjitha pasaportat përpunohen në këtë sistem që ka të integruar databazen për të gjithë shtetasit, si dhe të gjithë informacionin e sistemit të Interpolit. Nëse personi është në kërkim, apo i dënuar, menjëherë kjo pasqyrohet në sistem dhe policia kufitare procedon me arrestimin e tij.

Kështu, sulmi në fjalë sjell:

1. Akses të iranianëve në informacione të brendshme shtetërore

2. Kaos në pikat kufitare (prej ditës së djeshme raportohen radhë të gjata në Kapshticë)

3. Terren për paligjshmëri

Marrja nën kontroll e këtij sistemi prej hacker-ave iranianë, të cilët tanimë kanë në dorë lëvizjet e shqiptarëve dhe të tjera të dhëna me rëndësi lind nevojën urgjente për reagim kibernetik nga specialistët tanë të fushës./ Zoom.al