zoom

Aktualitet

Grupi i trafikut të klandestinëve, Rrumbullaku jep detajet. Skema, rrjeti dhe policët e implikuar

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, doli sot në një deklaratë për mediat, ku bashkë me Prokurorinë dhe partnerët ndërkoimbëtarë dha detaje për operacionin policor, për falsifikim dokumentesh dhe kalim të paligjshëm të klandestinëve në kufi e vendet e BE-së, ku janë vendosur në pranga 21 persona dhe lëshuar 31 flet-arresti nga SPAK.

Operacioni u kodua “Nomada” dhe mori dy vite hetime, teksa janë dhënë 31 masa arresti me burg nga GJKKO për akuzat “falsifikimi i dokumentave”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë;
“grupi i strukturuar kriminal” dhe “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi kriminal”. 6 masa janë me arrest shtëpiak. Ndërkohë që në Spanjë janë arrestuar 35 persona dhe 5 të tjerë janë në kërkim.

“Nga 31 shtetas me masë sigurimi personal “arrest në burg” është bërë e mundur kapja dhe ekzekutimi i vendimit të gjykatës për 26 shtetas dhe për 4 shtetasit e tjerë u bë shpallja në kërkim, pasi rezulton se ndodhen jashtë shtetit, ndërsa 1 shtetas ndodhet brenda territorit shqiptar për te cilat strukturat operacionale janë angazhuar për kapjen e tij. Në mes të personave të arrestuar është edhe një punonjës policie i nivelit zbatues”, tha Rrumbullaku.

Në rrjet janë futur edhe 2 efektivë policie, të implikuar në grupin e strukturuar kriminal. Drejtori i Policisë së Shtetit Rrumbullaku tha se i bën thirrje dy efektivëve të shpallur në kërkim që të dorëzohen vetë dhe të përgjigjen përpara drejtësisë. Po ashtu, Rrumbullaku tha se policia nuk disponon të dhëna që policët e shpallur në kërkim, të kenë përdorur aplikacionin Sky ECC apo të kenë gënjyer në formular.

“Absolutisht edhe operacioni përpara dy javësh në lidhje me grupin e strukturuar kriminal, është vlerësuar maksimalisht nga Policia e Shtetit, për të cilin ne kemi bërë edhe njoftim për detajet. Sa i përket masave për dy ish-punonjësit e Policisë së Shtetit, u bëj thirrje të dy drejtuesve të policisë që të paraqiten sa më parë të jetë e mundur, pavarësisht masave që janë ndërmarrë ndaj tyre, për t’u përgjigjur përpara drejtësisë. U takon dhe atyre që të paraqiten para drejtësisë dhe të sqarojnë pozicionin e tyre përpara ligjit. Askush në Policinë e Shtetit nuk ka mbrojtje. Sa i përket deklaratave, nëse kanë pasur apo jo në përdorim Sky Ecc, në materialet që ne disponojmë, nuk kemi të dhëna për përdorime të këtyre aplikacioneve”, tha Rrumbullaku.

Më tej ai theksoi se veprimet operacionale u koordinuan me profesionalizëm edhe me homologët tanë në Itali e Kosovë, ndërsa për realizimin e operacionit në Shqipëri u angazhuan rreth 500 forca policore në disa qytete, si Tiranë, Durrës, Shkodër, Berat, Kukës dhe Shijak. Gjithashtu me zyrën e Spanjës, EUROPOLIN dhe atë të SHBA-ve.

Gjatë operacionit u sekuestruan:

-7 automjete;

-1 laborator për falsifikimin e dokumenteve;

-25 mijë euro;

-20 mijë paund;

-10 pasaporta italiane, greke, sllovene e karta identiteti të huaja;

-1 armë gjahu; 10 laptop;

-15 kompjutera e printera që shërbenin për shitje dhe transferta

-Monedha virtuale – BITCOIN;

-Sasi lëndësh narkotike; 47 aparate celulare;

-1 aparat luminator; bizhuteri dhe varëse floriri me vlerë të konsiderueshme

-120 kontrata noteriale shitblerje pronash të paluajtshme dhe automjetesh.

Si kryhej aktiviteti i falsifikimit, printimit dhe trafikimit

Kryepolici Rrumbullaku dha edhe detaje të aktivitetit të organizatës kriminale.

“Nga veprimet operative, gjurmuese dhe hetimore rezulton se, subjektet kryesorë kryenin aktivitetin e jashtëligjshëm të falsifikimit të dokumenteve të udhëtimit, kryesisht dokumenteve të BE-së, ku përfshihen pasaporta, karta identiteti, leje drejtimi automjeti, karta shëndeti dhe karta banke. Këto dokumente të falsifikuara, përdoreshin në një shkallë të gjerë, për dhënien
ndihme për kalim të paligjshëm të kufijve, për të lehtësuar udhëtimin e migrantëve të parregullt shqiptarë drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës, por jo vetëm. Këto udhëtime kryesisht realizoheshin drejt aeroporteve spanjolle, veçanërisht atyre në Majorka, Madrid, Barcelona dhe Alikante.

Nga hetimi me metoda speciale rezultoi se, shtetasit shqiptarë largoheshin nga Shqipëria me pasaportat e tyre origjinale shqiptare për në vendet e BE-së, brenda zonës “Schengen”. Dokumentet e falsifikuara u dërgoheshin më pas me postë në hotelet ku qëndronin në Spanjë ose në adresa rezidenciale”, sqaroi Rrumbullaku detajet e operacionit. /ZOOM.AL/