zoom

Aktualitet

Gripi i shpendëve/Ministria hesht, përplasen institucionet. Bashkia: Nuk kemi vend për t’i groposur

Të dielën e 20 marsit, Ministria e Bujqësisë njoftoi se ishtë konfirmuar rasti i parë me gripin e shpendëve në vend, Influenca Aviare i tipit H5N8 nga një mostër e 19 marsit, ndonëse tre ditë më parë ishte mohuar. Sipas MBZHR-së, kishin ngordhur 200 mijë dhe Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve përjashtoi kategorikisht praninë e influencës aviare në Shqipëri, për ta konfirmuar atë 3 ditë më vonë. Atëherë u njoftua se këta shpendë kishin laringotrakeit infektiv, aspak i rrezikshëm për njerëzit, por sëmundje tipike e shpendëve.

Më 16 mars nga burime brenda pularive në qytetin e Durrësit, u bë e ditur se rreth 500 mijë pula kishin ngordhur dhe se askush nuk e dinte arsyen.

Mbrëmjen e të dielës Ministria vendosi karantinimin dhe kufizimin e zonës së lëvizjes së shpendëve dhe asgjësimin e atyre të ngordhura. Por, Ministria nuk përcaktoi nëse rasti i zbuluar më vonë kishte lidhje me ngordhjen masive të pulave. Nuk përcaktoi as nëse do të ribëhej rianalizimi i mostrave që fillimisht dolën me laringotrakeit. Më e rëndësishmja, Ministria nuk dha detaje për asgjesimin e pulave të ngordhura. Cili autoritet e ka përsipër, sa do të asgjesohen, ku do të groposen? A përfshihen ato të prekura, por jo të ngordhura?

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Durrës, para pak ditësh njoftoi se janë groposur 175.300 pula të ngordhura, duke nënkuptuar se ndoshta ky është autoriteti që do të merret me groposjen e tyre. Ndonëse është dhënë një urdhër, as ai nuk po zbatohet, për shkak se autoritetet nuk bien dakord me njëra- tjetrën dhe se Bashkia Durrës nuk ka hapësirë. Pas konfirmimit zyrtar të gripit, 100 mijë pula të tjera kanë ngordhur po në qytetin e Durrësit.

Sipas, Armand Llollit, kryeveteriner i një kompanie ku kanë ngordhur pula në qytetin e Durrësit, thotë se ato nuk po asgjësohen. Pulat janë bërë grumbull jashtë hapësirave të fermave sepse Shërbimi veterinar, autoritetet mjedisore dhe pushteti lokal nuk kanë rënë dakord për një zgjidhje.

“Pushteti vendor Durrës ka njoftuar se nuk ka hapësirë për groposjen e shpendëve të ngordhura dhe kjo nuk është normale”, – është shprehur Llolli për mediat.

Informacioni që institucioni ka dhënë për të gjithë situatën është i rezervuar dhe përgjithësues, ndonëse rreziku është i madh, sidomos ai për  shëndetin e njerëzve. Konsumatorët nuk janë të informuar se cilat janë kompanitë. As nëse kanë nxjerrë në treg produkte gjatë kohës së infektimit, mish apo vezë dhe nëse ato janë tërhequr.

Përfaqësuesi i vezës “AIBA”, Artan Luku është i  vetmi që e ka pranuar duke thënë se nuk është vetëm kompania e tyre e prekur, por ka edhe të tjerë. Ai u shpreh se kanë tërhequr nga tregu vezët  dhe ja kanë vënë në dispozicion AKU-së.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në vend, përgjegjës për sigurinë ushqimore, po ashtu nuk iu përgjigj pyetjeve të Gazetasi.al dhe as nuk ka bërë ndonjë reagim zyrtare deri tani.

Ministria e Bujqësisë kur konfirmoi rastin e parë me influencë, njoftoi se nuk ka asnjë rrezik për konsumatorët sepse “Nuk ka prova epidemiologjike se ky virus mund të transmetohet tek njerëzit përmes ushqimit (shpendëve e vezëve). Virusi është i ndjeshëm ndaj nxehtësisë dhe dezinfektuesve po ashtu, prandaj praktikat e mira higjienike (dezinfektimi i sipërfaqeve) dhe higjiena personale (larja e duarve) ndihmon në kontrollin e rrezikut”,  thuhet në njoftimin e saj.

Por, vendimi për ngritjen e Qendrës së Menaxhimit të Situatës nga MBZHR, tregon se situata nuk është aq e parrezikshme sa paraqitet dhe se duhet një autoritet i veçantë, përtej Ministrisë dhe asaj të Veterinarisë për të përballuar këtë situatë.

Ndryshe nga MBZHR, Silva Bino, shefe e Shërbimit të Epidemiologjisë në ISHP, tha për Gazetasi.al se rreziku që ky grip të kalojë tek njerëzit ekziston, por në aq testime se ky autoritet ka bërë nuk e kanë konstatuar ende.

Pra, influenca aviare mund të kalojë tek njerëzit nëpërmjet kontaktit me shpendët e infektuar ose konsumimi i mishit dhe vezëve të tyre, nëse nuk trajtohen me nxehtësinë e duhur, 70 gradë celsius. Forma të lehta të gripit të shpendëve janë shfaqur në Rusi, tek ata që kanë punuar me shpendët e infektuar.

Gjatë mbrëmjes së të 20 marsit, u bë publik lajmi se është pezulluar Tana Kika, drejtoreshë e Autoriteti Kombëtare të Veterinarisë dhe Mbrojtëse së Bimëve, por nuk ka ende asnjë njoftim zyrtar nga MBZHR. E pyetur nga Gazetasi.al mbi vërtetësinë e këtij informacioni,  Ministria e Bujqësisë nuk ka dhënë asnjë përgjigje.

Ky grip u konstatua për herë të fundit në Shqipëri në qershor 2021, ku u dha vendimi për ndalimin e importit të kafshëve me vendet e rajoni dhe Europës. Ekspertët deklaronin atë kohë se më të rrezikuarat ishin fermat e vogla pasi ata kanë më pak informacion. Kjo është e njëjta periudhë që ky grip rishfaqet çdo vit për shkak të lëvizjeve migruese tek shpendët dhe virulencës së madhe të tij.

Përveç problemeve në shëndetin e njerëzve, edhe dëmi ekonomik është i madh, nisur nga fermerët që kanë investuar në rritjen e pulave për tregtim dhe reflektuar tek konsumatorët fundorë që përballen me çmimet e rritura në të gjithë produktet, përfshirë dhe vezët e pulat, fshati apo jo. /Gazetasi.al