Aplikacion
Amendamenti është botuar në Fletoren Zyrtare me nr. 5078, si amendamenti i fundit për legalizimin e kategorisë së emigrantëve 56/7 14.12.2023, që u miratua në parlament më 18 dhjetor, e përfshirë si shtesë në nenin 187 në projektligjin e ministrisë së Punës dhe Sigurimeve Sociale.
Në këtë mënyrë, amendamenti ka marrë formën zyrtare dhe tashmë mbeten në pritje vetëm vendimet përkatëse ministrore për zbatimin në praktikë. Kujtojmë se amendamenti përbën në fakt dy modifikime të nenit 23 të Kodit të Emigracionit dhe të nenit 57 të Kodit të Legjislaturës për mbrojtjen ndërkombëtare dhe pritjen e refugjatëve, si dhe një sërë nenesh për legalizimin me kushte të disa kategorive që nuk kanë patur shans legalizimi 5 vjeçarin e fundit.
Padyshim që përbën një shans evidentimi të prezencës së tyre të fuqishme në tregun e punës e ekonominë greke, si për punëtorët sezonalë ashtu edhe për gratë –kryesisht- që janë të punësuara si ndihmëse shtëpiake, por do të mund të përfshihen edhe kategori të tjera.
Duke theksuar se në ditët në vijim do të rikthehemi sërish me detaje, por edhe se jemi vigjilentë ndaj vendimeve të shumëpritura ministrore theksojmë se do të pajisen me leje qëndrimi dhe akses në tregun e punës shtetasit e vendeve të treta (*nga Shqipëria) që:
–Disponojnë marrëveshje a kontratë pune apo ofrim shërbimesh apo pjesëmarrje në vepra në Greqi.
-Disponojnë ofertë për kontratë pune nga pronarë grekë apo të huaj në Greqi.
–Ndodhen- rezidentë si banorë- në Greqi deri në 30 nëntor 2023, pa disponuar leje qëndrimi.
–Vazhdojnë të jenë banorë të Greqisë dhe
–Plotësojnë të paktën 3 vite në vazhdim qëndrimi në Greqi para aplikimit, sipas dokumentave me përcaktim të afateve kohore që do paraqiten.
Dokumentat e kërkuara:
-Pasaportë, akoma edhe e skaduar
-Vërtetim i precedentit penal, të jetë pa precedencë penale
-Taksa 300 euro + 16 euro
-Vërtetimi nga punëdhënësi depozituar në formë elektronike në platformën gov.gr ku përfshihet numri tatimor (AFM) i punëtorit emigrant aplikues.
-Nëse ndodhen në Greqi familja e përfituesit aplikant, përfiton leje qëndrimi me afat kohor të barabartë me aplikuesin, kur bëhet fjalë për bashkëshorten dhe fëmijë të mitur. Kjo ndodh në rastin kur nuk përfshihen në nenin 1 dhe 2.
-Deri në 31 dhjetor 2024 parashikohet aplikimi elektronik për këtë leje, me adresën përkatëse në zonat përkatëse ku është i punësuar aplikuesi. Kjo datë nuk ka akoma vendim nëse skadon apo mbetet e hapur.
-Leja e qëndrimit do të jetë (deri) 3 vjeçare. Në rast skadimi apo prerje të kontratës së punës, emigranti mundet të aplikojë për tjetër kategori, sipas nenit 12 të Kodit të Emigracionit.
-Për kategorinë e veçantë që kanë aplikuar për Leje të Jashtëzakonshme sipas nenit 19 të ligjit 4251/2014, ofrohet mundësia të aplikojnë edhe bazuar në këtë amendament, e të përfshihen në këtë kategori legalizimi.
-Gjithashtu, kërkesat në pritje të lejeve të jashtëzakonshme të nenit 19, ligji 4251/2014 do të mund të shqyrtohen edhe sipas neneve 1-4 të këtij amendamenti.
Sipas Ministrisë së Emigracionit dhe Azilit në Greqi, ky vendim synon në eliminimin e fenomenit të punës së zezë në tregun vendas. Nuk legalizon dhe nuk ofron asnjë shans në emigrantë të paligjshëm përveç aksesit në tregun e punës për ata që ndodhen prej vitesh këtu, para 30 nëntorit 2023, gjithmonë me kritere e kushte të ashpra përzgjedhjeje.
Gjithashtu, ministria bën të qartë se nuk ofron asnjë shans për bashkim familjar kur familja ndodhet jashtë Greqisë, akoma më të rreptë janë me nënshtetësinë greke, siç ndodh në vende të tjera të BE-së, për shembull në Gjermani.
SOS: Kjo leje qëndrimi do të jetë gjithmonë e varur nga kontrata e vazhdueshme e punësimit si dhe deklarimi i vazhdueshëm i sigurimeve shoqërore nga përfituesi, domethënë emigranti që do të përfitojë një leje qëndrimi të tillë duhet të jetë vazhdimisht i punësuar, pa asnjë mundësi karte papunësie apo pezullimi nga vendi i punës.
Për herë të parë një amendament i një qeverie greke praktikon lidhjen e domosdoshme të lejes së qëndrimit me punësimin, pasi vetëm sa do të sigurojnë kontratë pune dhe do të vërtetojnë se vazhdojnë të jenë aktiv në tregun e punës do mbeten të ligjshëm, nëse kontrata e punës shkëputet, pavarësisht arsyes, leja e qëndrimit do të tërhiqet e emigranti përkatës do i rikthehet statusit “i paligjshëm”.
Gjithmonë sipas statistikave të ministrisë përkatëse, nga ky amendament llogaritet të përfitojnë rreth 30 mijë emigrantë, shumë prej tyre punëtorë sezonalë nga Shqipëria.
Pikërisht ky është edhe synimi esencial i këtij vendimi, Greqia më në fund të konkurrojë me kushte të barabarta tregun e punës sezonal të Italisë e vendeve të tjera të BE-së. Fakt i palëkundur është numri i madh i shqiptarëve që ofronin prej vitesh shërbime si punëtorë sezonalë në Greqi e që vitet e fundit për shkak të vështirësive të jashtëzakonshme në aspektin ligjor të legalizimit të përkohshëm, por edhe të rrogave tepër të ulta, kanë braktisur Greqinë duke shkaktuar probleme madhore në mbledhjen e prodhimeve bujqësore si dhe në blegtori.
Së fundi, detajet sqaruese të këtij amendamenti për Komunitetin Shqiptar në Greqi janë punuar sëbashku me Irfan Abazaj, sekretar i përgjithshëm i KSHG dhe Ermal Sulaj, kryetar i KSHG dhe anëtar i KKD. /ZOOM.AL/