zoom

Aktualitet

Gratë, viktimat kryesore të krimit në familje dhe krimit me motive morali në Shqipëri

Gratë janë viktimat kryesore të krimit në familje, krimit seksual dhe krimeve me indicie morale në Shqipëri.

Sipas statistikave të INSTAT, të marra nga Policia e shtetit, gjatë 2023-shit u raportuan 2.278 krime në familje, nga të cilat 64% e të dëmtuarve ishin femra. 392 ishin krime për arsye morale, ku 56% e viktimave ishin femra dhe 125 krime seksuale, 82% e të dëmtuarve ishin po femra.

Në totalin e të gjithë veprave kriminale, 36.6% e viktimave ishin të gjinisë femërore. Numri i të dëmtuarve 17.021 persona të dëmtuar, 24.7 % më shumë se në 2022-shin.

Përveç se në rastin e krimit seksual, veprat e tjera penale në vend janë shtuar nga 2022-shi në 2023-shin.

Vërehet një rritje e krimeve në grupmoshat e reja, nga 18 në 44 vjeç dhe një rënie në grupmoshat më të mëdha. Autorët në 36% të rasteve ishin të grup-moshës 30-44 vjeç, thotë INSTAT.

Gjatë vitit janë raportuar në total 33.845 krime, por janë marrë të pandehur vetëm 13.963 persona.

Në vitin 2023, numri i të burgosurve në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale është 5.169, 4.6% më shumë, krahasuar me vitin 2022. Meshkujt përbëjnë 98.5 % të totalit të të burgosurve.