zoom

Aktualitet

Gjysma e Tiranës e bllokuar, Policia tregon masat për ndeshjen Shqipëri-Çeki në “Air Albania”

Në prag të ndeshjes me Çekinë, e cila do të luhet nesër (12 tetor) në orën 20:45 në Air Albania, policia ka publikuar planin e masave.

Nga ora 15:00 deri në përfundim të ndeshjes do bllokohen disa rrugë që të çojnë drejt stadiumit, ndërsa hyrja e tifozëve do të fillojë në orën 17:00.

Punonjësit e policisë do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, para futjes në stadium, me qëllim parandalimin e futjes në stadium të banderolave me përmbajtje raciste, të fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve/produkteve për përdorim kozmetik dhe sendeve të tjera të forta, të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve.

Në masat e marra nga policia do të jenë gjithashtu:

-Eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të futbollit të Çekisë, nga aeroporti i Rinasit
në hotel, në stadium dhe në kthim për në Rinas;

-Eskortimi dhe sigurimi i futbollistëve të ekipit të futbollit të Shqipërisë, në stadium;

-Kryerja e kontrollit të hollësishëm në mjediset e stadiumit dhe brenda stadiumit, për persona të paautorizuar, sende dhe lëndë të ndaluara, para se të futen tifozët;

-Organizimi i shërbimeve për garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit, jo vetëm pranë stadiumit, por edhe kontrolli i territorit në të gjithë qytetin e Tiranës;

-Sigurimi i rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës;

Policia gjithashtu njofton se hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi masën e njerëzve, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.

Rrugët që do të jenë të bllokuara:

-bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, 20 m mbi urën e Dajtit;
-rruga “Papa Gjon Pali II”;
-rruga “Dervish Hima”, pranë ambasadës së SHBA-së;
-rruga “Asim Zeneli”, pranë ambasadës së SHBA-së”;
-rruga “Themistokli Gërmenji”;
-rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i liceut;
-rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;
-rruga “Jul Variboba”, pranë postës;
-rruga “ Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës;
-rruga “Avdyl Frashëri”, pranë kryqëzimit të Librit Universitar.