zoom

Aktualitet

Gjyqtari Artan Gjermeni, i zgjedhuri i PS-së për Bashkinë e Lushnjes?

Gjyqtari Artan Gjermeni, pas një kariere të gjatë me ulje-ngritje në sistemin e drejtësisë, pritet të heq dorë prej saj. Zoom.al ka mësuar se Gjermeni do të largohet nga sistemi i drejtësisë për t’iu kushtuar një karire tjetër, asaj politike.
Të njëjtat burime kanë konfirmuar se magjistrati synon të jetë kandidat i socialistëve për kryetar të Bashkisë së Lushnjes në zgjedhjet që do të zhvillohen më 2023.
Sipas tyre, ai e ka marrë një konfirmim nga drejtues të PS.
Shpeshherë Gjermeni është akuzuar nga opozita e djathtë si një gjyqtar që u ka shërbyer gjithmonë socialistëve. Akuzat ndaj tij do të nisnin gjatë kohës që ai ishte kryetar i Gjykatës së Lushnjes, ndërsa ndaj tij u ndërmor edhe një procedim disiplinor për shkelje në gjykimin e Bandës së Lushnjes. Prej atëherë Gjermeni ka gjykuar disa çështje sensitive duke dhënë vendime që kanë prodhuar debat. Vlen këtu të përmendet, çështja në ngarkim të Kostandin Xhuvanit, i cili i shpëtoi një dënimi të përjetshëm megjithëse kishte vrarë 4 persona.
Gjithashtu Gjermeni ka qenë pjesë e trupës gjykues për çështjen e ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.

Pak ditë më parë, Gjermeni la në fuqi masën e pezullimit nga detyra të Presidentit të Federatës së Futbollit, Armand Duka, sipas kërkesës së kryebashkiakut Erion Veliaj. Ky duket se ka qenë edhe hapi final që i ka bindur socialistët për ta parë atë si kandidatin më të mundshëm për Bashkinë e Lushnjes.

Në janar të vitit 2016, Gjermeni u paraqit i plagosur në QSUT, ndërsa në makinën e tij tip SMART u gjetën rreth 20 mijë euro. Gjyqtari tha që ishte prerë me një llamarinë në garazhin e tij, ndërsa për paratë pretendoi se ishin kursime.
Artan Gjermeni, megjithëse një nga emrat më të lakuar në sistemin e drejtësisë, nuk ka e kaluar ende vettingun, megjithëse si procedurë ka afro dy vite që ka nisur.
Ndoshta është pikërisht pengesa e vettingut ajo që po e detyron gjyqtarin që të lërë sistemin e drejtësisë dhe të angazhohet në politikë si pjesë e Partisë Socialiste. /Zoom.al