Aplikacion
Nëse garancia depozitohet, kjo do të pezullojë procesin e ekzekutimit të vendimit dhe do t’ia ndalojë shtetit të Nju Jorkut sekuestrimin e pasurive të kandidatit të pritshëm për president të Partisë Republikane, ndërsa vazhdon procesi i apelimit. Gjykata e apelit vendosi gjithashtu të rrëzojë masën e dhënë nga gjykatësi i shkallës së parë që ua ndalonte për shtatë vjet zotit Trump dhe djemve të tij, Eric Trump dhe Donald Trump Jr., drejtimin e bizneseve në Nju Jork.
Vendimi i gjykatës së apelit është një fitore e rëndësishme për ish-presidentin, ndërsa ai mbron perandorinë e tij të pasurive të patundshme, që e ndihmoi të hyjë në jetën publike amerikane. Masa e gjykatës së apelit u dha pak përpara afatit kur prokurorja e Nju Jorkut, Letitia James, e zgjedhur nga radhët e demokratëve, pritej të fillonte procesin e ekzekutimit të vendimit të gjobës.
Ish-presidenti Trump, i cili po ndiqte një tjetër seancë gjyqësore po në Nju Jork për një padi penale për pagesën e bërë për të fituar heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë, deklaroi se do ta respektojë vendimin e gjykatës së shkallës së dytë dhe se do të paraqesë me shpejtësi garancinë e kërkuar prej 175 milionë dollarësh, brenda afatit të caktuar.
Ish-presidenti Trump kritikoi sërish vendimin e marrë nga gjykatësi Arthur Engoron për të cilin tha se e ka dëmtuar së tepërmi shtetin e Nju Jorkut, nga ku tashmë bizneset po largohen. Në komentet e tij, zoti Trump akuzoi qeverinë për përdorimin politik të Departamentit të Drejtësisë dhe i quajti qesharake të gjitha çështjet gjyqësore të hapura ndaj tij.
Zyra e prokurores James vuri në dukje megjithatë se vendimi vazhdon të jetë në fuqi, megjithëse është pezulluar përkohësisht ekzekutimi i tij. “Donald Trump ende përballet me llogaridhënien për mashtrimin e tij flagrant. Gjykata tashmë e ka dënuar atë për mashtrime të bëra ndër vite për të fryrë artificialisht vlerën e pronave të tij dhe për t’u pasuruar padrejtësisht ai vetë, familja e tij dhe organizata e tij”, thuhet në deklaratën e zyrës së prokurores.
Avokatët e zotit Trump kishin kërkuar që gjykata e apelit ta pezullonte gjobën, duke thënë se “ishte praktikisht e pamundur” të gjendej një kompani garantuese për një shumë kaq të madhe, e cila rritet më tej me çdo ditë që kalon, për shkak të interesave. Avokatët e zotit Trump kishin propozuar edhe më parë një garanci më të vogël, prej 100 milionë dollarësh, që u refuzua nga një gjykatës i apelit.
Në gjykatën e nivelit të dytë, ish presidenti po kërkon anulimin e vendimit të 16 shkurtit që e shpalli atë fajtor nën akuzat për mashtrime lidhur me pasuritë e tij, çka i krijoi atij mundësi të zgjeronte më tej perandorinë e pronave të patundshme, që e ndihmuan të fitonte famë dhe presidencën e Shteteve të Bashkuara.
Pasi dhënies së vendimit, ligji parashikon një periudhë pauze gjatë së cilës nuk mund të ekzekutohet vendimi deri në momentin e shqyrtimit në apel. Kjo periudhë pauze skadoi të hënën. Prokurorja James i pati thënë kanalit televiziv ABC News muajin e kaluar se nëse ish presidenti Trump nuk do të paguante dot gjobën, atëherë ajo do të fillonte sekuestrimin e pasurive të tij.
Ish presidenti Trump shkruajti të premten në mediat sociale se ai disponon gati 500 milionë dollarë në llogaritë e tij, por se synon të përdorë pjesën më të madhe të tyre për fushatën për president. Ai ka akuzuar prokuroren James dhe gjykatësin e Nju Jorkut, Arthur Engoron, të dy të zgjedhur nga radhët e demokratëve, se kërkojnë “t’i marrin fondet që ato të mos përdoren për fushatën”./VOA/
Kaos në Korenë e Jugut/ Presidenti ndërron mendje: Do tërheq vendimin për shpalljen e luftës