zoom

Bota

Gjykata e Nju Jorkut rrëzon dënimin për abuzim seksual për Harvey Weinstein. Vendimi nxit polemika

Gjykata e Apelit e Nju Jorkut ka rrëzuar një nga dënimet për Harvey Weinstein për krime seksuale.

Gjykatësit vendosën (4 me 3) se kolegu i tyre James Burke, i cili kryesoi çështjen e Weinstein në 2020, bëri një gabim vendimtar duke lejuar prokurorët të thërrisnin për të dëshmuar disa gra që kishin akuzuar producentin e “Pulp Fiction” dhe “Shakespeare in Love” se i ka sulmuar seksualisht.

Lauren Young, Dawn Dunning dhe Tarale Wulff kishin dëshmuar për takimet e tyre me Weinstein sipas një ligji që lejon që “veprimet e këqija të mëparshme” të diskutohen në gjykatë për të treguar qëndrueshmëri me kalimin e kohës.

Por Gjykata e Apelit vendosi se “në sistemin tonë të drejtësisë i akuzuari ka të drejtë të mbajë përgjegjësi vetëm për krimin për të cilin akuzohet”.

Gjykata arriti në përfundimin se një nga burrat më të fuqishëm në Hollywood, i akuzuar për ngacmim dhe abuzim nga më shumë se njëqind gra, nuk pati një gjykim të drejtë, pasi ishte gjykuar jo vetëm për krimet e tij të supozuara, por edhe për sjelljet e tij në të kaluarën.

Avokati i Weinstein, Arthur Aidala, tha: “Kjo nuk është vetëm një fitore për Weinstein, por për çdo të pandehur në një gjyq penal në shtetin e Nju Jorkut”. Por klienti i tij nuk do të lirohet, ai përkundrazi do të transferohet në një burg në Kaliforni, ku më 20 maj producenti do të apelojë që t’i hiqet dënimi, siç konfirmoi avokatja e tij Jennifer Bonjean, duke theksuar se vendimi i sotëm mbi apelin në Nju Jork do të forcojë pozitën e klientit të saj: “Juristët u mbytën nga provat e karakterit të tij të keq, prova që nuk ishin legjitime dhe që, sipas mendimit tonë, minuan të gjithë gjyqin në Kaliforni”

Producenti hollivudian, tani 72 vjeç, aktualisht është në burg. Ai vazhdimisht pretendoi pafajësinë e tij, duke shpjeguar se ato marrëdhënie seksuale ishin gjithmonë konsensuale.

Revokimi i dënimit të Nju Jorkut rihap një kapitull të komplikuar në çështjen e dhunës seksuale dhe mënyrën e dënimit të përgjegjësve. Akuzuesit e tij mund të duhet të dëshmojnë përsëri. Aktorja Ashley Judd, një nga shumë që foli për ngacmimet që pësoi nga Weinstein, i tha New York Times se vendimi ishte “i padrejtë për të mbijetuarit. Por ne jetojmë në të vërtetën, e dimë se çfarë ka ndodhur”.

Gjyqtarja Madeleine Singas, në një opinion kundërshtues nga opinioni kryesor i shkruar nga gjyqtarja Jenny Rivera, tha se vendimi i Gjykatës së Apelit të Nju Jorkut vjen “në vazhdën shqetësuese të jurive që përmbysnin vendimet e fajësisë në rastet e sulmeve seksuale”./ Nga Corriere.it