zoom

Aktualitet

Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Fredi Belerit, kërkoi leje të betohet si kryebashkiak i Himarës

Gjykata e Lartë ka vendosur mospranimin e rekursit të Fredi Belerit, i cili kërkoi leje për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës. Fredi Beleri kishte bërë rekurs vendimin e Apelit të GJKKO-së, që i refuzoi kërkesën për t’u lejuar që të betohet.

Beleri ndodhet në qeli prej 12 majit 2023 i akuzuar për blerje votash. Kërkesat e tij për t’u liruar nga qelia dhe për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës, pasi fitoi zgjedhjet vendore të 14 majit, janë refuzuar nga shkallët e gjyqësorit.

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka shpallur fajtor më 5 mars kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës për blerje votash duke e dënuar me dy vite heqje lirie. Ndërsa bashkëpunëtori i tij, Pandeli Kokaveshi u dënua me tre vite shërbim prove. Kjo masë lehtësuese për Kokaveshin u dha pasi ai ka probleme shëndetësore, si dhe fëmija i tij i mitur ka probleme shëndetësore.

Sipas GJKKO, vuajtja e dënimit për Fredi Belerin nis që nga dita kur është arrestuar, pra më 12 maj 2023. Sipas përllogaritjeve, kryetarit të zgjedhur të bashkisë i Himarë e mbetën edhe 1 vit e 3 muaj burg.

GJKKO thotë se dënimin do ta kryejë në një burg të sigurisë së zakonshme. Fredi Beleri po qëndron në paraburgim  që prej zgjedhjeve të majit të vitit 2023, që do të thotë se i kanë mbetur rreth 9 muaj dënim për të shlyer në qeli. Kjo për shkak se ditët e paraburgimit llogariten si një ditë e gjysmë. /ZOOM.AL/