zoom

Bota

“Gjueti për thesarin e Putin”, ngrihet celula për kleptokracinë në Londër

Ka filluar gjuetia për thesarin e fshehtë të Putinit: qeveria e Londrës ka ngritur një “celulë të veçantë për kleptokracinë” me detyrën e identifikimit të pasurive të fshehura në Britaninë e Madhe nga diktatori rus, të cilat vlerësohen të arrijnë në miliona paund.

Njësia e hetimit, e cila është pjesë e Agjencisë Kombëtare të Krimit do të punojë krah për krah me shërbimet sekrete të Mbretëreshës për të kuptuar nëse lideri i Kremlin-it është pronari i vërtetë, siç dyshohet, i shumë sendeve që mbahen në emër të oligarkëve rusë.

“Ka njerëz që po punojnë për këtë tani”, ka thënë një burim për britaniken “The Telegraph”. “Kjo është ajo që do të bëjë ekipi i kleptokracisë: njësia do të duhet të gjurmojë paratë e Putin-it dhe bashkëpunëtorëve të tij”.

Në fillim të luftës në Ukrainë, Boris Johnson njoftoi krijimin e “një njesie për të luftuar kleptokracinë” për të kapur “asetet e ardhura si frut i korrupsionit të fshehura në MB”.

Lideri rus është nën sanksione në Londër, që do të thotë se çdo pasuri e identifikuar si e tij do të ngrihej menjëherë. Por opozita laburiste kërkon të shkojë më tej: ish-zëvendësministri për Evropën, Chris Bryant, tha në Parlament se qeveria “duhet të fillojë të konfiskojë pronat në vend që thjesht t’i ngrijë ato”.

Zyrtarisht, presidenti rus është thjesht një shërbëtor modest i shtetit, i cili jeton me një pagë prej rreth 85 mijë euro në vit.

Por ka nga ata që pretendojnë se ai është në fakt njeriu më i pasur në botë, me një pasuri prej 200 miliardë dollarësh.