Aplikacion
“Tymnajë për të sfumuar provat e reja për 21 janarin”, e konsideroi Sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, kërkesën e PD për të ngritur një komision hetimor për të hetuar lidhjet e Ramës me ish -zyrtarin e FBI, Charles McGonigal të arrestuar për lidhje me rusët.
“Së pari kjo është një tymnajë e ngritur nga opozita për të sfumuar faktet e reja që kanë dalë në lidhje me 21 janarin. Ngrihet një problem tjetër që gjoja ka më shumë rëndësi se vrasja e qytetarëve të pafajshëm. Nuk ka krim më të rëndë se sa vrasja e qytetarëve të pafajshëm”, u shpreh ai.
Gamian Gjiknuri është mik i ngushtë i Agron Nezajt, personit që sipas hetimit të FBI i pagoi 225 mijë dollarë McGonigal-it pas një takimi që ai kishte bërë me kryeministrin Rama, ku i kishte kërkuar mos favorizonte kompani ruse të naftës.
Nga ky takim përfitues ishin Nezaj dhe këshilltari i Ramës, Dorian Duçka.
FBI ka një dosje të gjatë për veprimtarinë e McGonigal në Shqipëri, udhëtimet, pagesat dhe takimet e tij me kryeministrin Rama. Por për Gjiknurin, hetimi i FBI s’ka lidhje me Shqipërinë.
“Së dyti mendoj se drejtësia amerikane e ka zbardhur atë çështje. Zyrtari në fjalë, ka qenë njeri shumë i rëndësishëm, akuzohet për lidhje të tij me pagesa të një oligarku rus dhe nuk ka lidhje me ngjarjet e Shqipërisë, takimet që përmenden nuk faktojnë krime të kryera nga autoritetet shqiptare, përkundrazi ka pasur thyerje etike nga ana e tij për mospërmendjen e takimeve. Sa i takon Nik Muzin, rasti i tij i është nënshtruar drejtësisë amerikane dhe askush se ka hedhur poshtë që paratë e marra nga zotëria në fjalë kanë origjinë ruse.
Në vetvete problemi ka të bëjë se sa drejt e ka zbatuar detyrën një zyrtar i lartë amerikan në lidhje me interesat e SHBA. Këtu s’mund të bësh fajtor kryeministrin që ka takuar një zyrtar të lartë të FBI, kur çdo zyrtar i lartë do ta takonte. Mos të ngatërrojmë dosjen e provuar të Muzin, me çështje të tjera. Ky lajm ka rëndësi për Amerikën dhe jo për Shqipërinë”, deklaroi Gjiknuri. /Zoom.al