zoom

Bota

Gjermania nuk i hap kufijtë! “Kufizimet do të zgjaten, nuk kemi zgjidhje tjetër”

“Gjermania do t’i vazhdojë kufizimet në kufij tokësorë edhe për tetë ditë të tjera”, deklaroi një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme gjermane.

Kufizimet që i ndalojnë shumicën dërrmuese të njerëzve të hyjnë nga Republika Çeke dhe rajoni austriak i Tirolit do të mbeten në fuqi deri në 3 mars. Këto dy rajone, së bashku me Sllovakinë janë vendosur që prej 14 shkurtit në listën e vendeve që përbëjnë shqetësim të lartë për shkak të nivelit të lartë të rasteve me koronavirus.

Fillimisht ishte parashikuar që kufizimet e Berlinit të zgjasnin vetëm 10 ditë. Por situata nuk ka përmirësim, e kjo i shtyn autoritetet gjermane të dalin me vendimin e prerë. Nga kufizimet përjashtohen ata që konsiderohen punëtorë kryesorë, përfshirë drejtuesit e kamionëve që sjellin mallra në vend.

Komisioni Evropian reagoi në një letë drejtuar ambasadorit gjerman në Bruksel, Michael Clauss, duke i cilësuar masat gjermane janë joproporcionale dhe të pajustifikueshme.

“Ne besojmë se objektivi i ndjekur nga Gjermania, që është mbrojtja e shëndetit publik gjatë pandemisë, mund të arrihet me masa më pak kufizuese”, nënvizohet në letër.

Republika Çeke ka normën më të lartë të infektimit me Covid-19 brenda Bashkimit Evropian. Që nga fillimi i pandemisë në pranverën e vitit të kaluar, ky shtet ka regjistruar mbi 1.16 milionë raste me koronavirus dhe më shumë se 19,500 viktima.