zoom

Politikë

Gazi lotsjellës në 8 janar, Komisioni i Rithemelimit padit kreun e Forcave Operacionale

Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të Partisë Demokratike ka paditur në Prokurori Sokol Bizhgën, kreun e Forcave Operacionale në polici. Bizhga është paditur për shpërdorim detyre, si pasojë e përdorimit të gazit lotsjellës gjatë protestës së 8 janarit në selinë blu.

Sipas grupit të ish-kryeminsitrit Sali Berisha, me sasinë e gazit lotsjellës të hedhur gjatë protestës, policia rrezikoi shëndetin e protestuesve.

Prej gazit lotsjellës që u hodh, një numër i madh protestuesish u panë duke u shpërndarë nëpër Lanë në përpjekje për të marrë veten. Godina e PD-së dhe të gjitha hyrjet e saj u rrethuan nga policia pas thirrjes së Lulzim Bashës për të ndërhyrë.

Komisioni i Rithemelimit ka paditur në SPAK edhe deputetin demokrat Kreshnik Çollaku. Padia në SPAK është depozituar për deklaratat e Çollakut në kryesinë e PD-së, pas protestës së 8 janarit. Komisioni i Rithemelimit e paditi Çollakun për shpifje pasi “foli për influenca ruse në protestë.”

Më herët gjatë ditës, grupi i Berishës ka paditur në SPAK, Spartak Brahon për shkak të një deklaratë të bërë prej tij pak para protestës së 8 janarit në oborrin e PD-së.

Para protestës së 8 janarit, ish-deputeti paralajmëroi se tubimi i thirrur nga Sali Berisha do të kishte skenarë të dhunshëm, madje, sipas tij, do të përfundonte edhe me viktima, duke përmendur një deputet me inicialet E.A.

Postime të lidhura