zoom

Aktualitet

Gazetari denoncon publikisht deputetin e PD: Më kërcenoi mua dhe familjen

Gazetari Ergys Kavaja që raporton në qytetin e Shkodrës, ka bërë një denoncim publik, ku thotë se është kërcënuar dhe fyer nga drejtuesi Politik i PD në Qarkun e Shkodrës, Helidon Bushati.Gazetari thekson në denoncimin e tij se në drekë ka marrë një telefonatë nga Deputeti i zgjedhur i Shkodrës Helidon Bushati, i cili sipas tij nuk e lejoi as ta përshëndes por ka lëshuar ndaj tij një lum me ofendime.

Sipas gazetarit Ergys Kavaja, ky reagim i drejtuesit politik të PD-së në Shkodër, ka ardhur për faktin e dy shkrimeve të gazetarit, i cili analizonte votat që mori PD, e cila kërkonte 7 mandate, por mori aq sa në 2017-ën dhe humbi shumicën edhe në bastionin e tyre.

Gazetari nënvizon se do të zgjedhë të jetë i lirë, pavarësisht çdo kostoje dhe nëse dikujt nuk i pëlqen kjo atëherë e ftoj të përballemi në rrugë ligjore.

Denoncimi i gazetarit: 

Dua të denoncoj publikisht dhe pa asnjë rezervë sjelljen kërcënuese, fyese dhe denigruese të Drejtuesit Politik të PD në Qarkun Shkodër Helidon Bushati ndaj personit tim!

Sot në drekë mora një telefonatë nga Deputeti i zgjedhur i Shkodrës Helidon Bushati, i cili nuk më lejoi as ta përshëndesja pasi vijoi me një lum fyerjesh banale dhe kërcënime për mua dhe familjen.
Në 15 vite si gazetarë në Shkodër jam përballur me shumë ngjarje, zhvillime apo personalitete të politikës me të cilët kemi pasur edhe mendime të kundërta por asnjëherë dhe askush nuk ka guxuar të mbërrijë në kërcënime për mua dhe familjen time!
Nuk e kam ndërmend të stepem dhe të anashkaloj asnjë sjellje të tillë e cila nuk i shkon aspak për shtat staturës së një Drejtuesi Politik dhe Deputeti të një qyteti si Shkodra.
Vetëm dy ditë më parë ishte dita e lirisë së medias e unë zgjedh gjithmonë të jem i lirë pavarësisht çdo kostoje. Nëse dikujt nuk i pëlqen kjo atëherë e ftoj të përballemi në rrugë ligjore.
Më poshtë po publikoj materialet që kanë sjellë “çmendurinë” e Helidon Bushatit.